Kundër korrupsionit vetëm me aktgjykime

Maqedoni e Veriut: ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë Dragi Rashkovski dhe Kryeministri Zoran Zaev

Gjykata Penale në Shkup, i ka shqiptuar 30 ditë paraburgim ish-sekretarit të përgjithshëm të qeverisë Dragi Rashkovski, i dyshuar për shpërdorim të detyrës gjatë një prokurimi publik në vlerë prej një milion euro. Nën dyshime dhe akuza për shpërdorim detyre, ka edhe zyrtarë të tjerë, por deri më tani nuk ka asnjë hetim apo epilog gjyqësor. Njohësit e çështjeve juridike dhe politike Sllagjana Taseva dhe Sasho Klekovski, thonë se lufta kundër korrupsionit mund të llogaritet e suksesshme vetëm kur të ketë aktgjykime për të dyshuarit.

SHIKONI EDHE: Pa epilog gjyqësor rastet e iniciuara nga Specialja

Lufta kundër korrupsionit mund të konsiderohet e suksesshme vetëm nëse do të ketë aktgjykime për personat e akuzuar për vepra penale apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, thotë Sllagjana Taseva, drejtuese e Transparency International për Maqedoninë, një organizatë ndërkombëtare e cila në raportin e publikuar për këtë vit për perceptimin ndaj luftës kundër korrupsionit, e renditi Maqedoninë e Veriut në vendin 111-të, pozitë kjo më e keqja që nga viti 2002.

Hetimi ose jo i aferave korruptive dhe epilogu pozitiv, do të ndikojnë edhe në popullaritetin e qeverisë, që po shënon rënie bazuar në anketat e fundit, pikërisht për shkak të mungesës së luftës kundër korrupsionit, thotë ndërkohë Sasho Klekovski, njohësi i çështjeve politike.

Vlerësimet e Tasevës dhe Klekovskit pasojnë vendimin e Këshillit penal pranë departamentit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për ish-sekretarin e qeverisë, Dragi Rashkovski, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Zoran Zaev. Rashkovski dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare për disa prokurime publike, një prej të cilëve ka të bëjë me një softuer për sigurinë në komunikacion, me vlerë prej një milion euro, që ishte blerë edhe pse nuk ishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por, mediat kanë zbardhur edhe raste të tjera që ngrenë dyshime për keqpërdorime të detyrës nga Rashkoski, respektivisht, marrëveshje për licenca për softuer për institucione të ndryshme në vlerë prej një miliard denarë apo 16 milionë euro.

SHIKONI EDHE: Përgjimet shënjestrojnë zyrtarët shtetërorë në afera me tenderë 

Sllagjana Taseva nga organizata Transparency International, thotë se hetimet duhet të jenë gjithëpërfshirëse pasi nëse organet e ndjekjes ndalen vetëm në një rast siç është ky me Dragi Rashkovskin, nuk do të përmirësohet perceptimi se pushteti lufton korrupsionin në radhët e veta.

SHIKONI EDHE: Injorohen iniciativat për parandalimin e korrupsionit

"Raste të tilla individuale, pavarësisht nëse personat janë afër qeverisë apo jo, nuk do ta përmirësojnë imazhin e perceptimit të korrupsionit, sepse gjithmonë do të parashtrohen pyetje nëse kjo është e gjitha dhe nëse kjo është selektive dhe nëse ne duhet të jemi të kënaqur vetëm me këto masa të ndërmarra. Që të përmirësohet gjendja, duhet të ketë rezultate konkrete. Po përballemi me afera që nuk janë të pakta në numër dhe mungesa e hetimit apo e një epilogu konkret, zbeh punën e institucioneve dhe rrit mosbesimin ", thotë Taseva.

SHIKONI EDHE: Korrupsioni në nivele të larta përmes tenderëve

Në këtë kuadër, Sasho Klekovski, njohësi i çështjeve politike, thotë se qeveritë në Maqedoninë e Veriut humbin besimin pikërisht për shkak të pranisë së korrupsionit dhe kjo sipas tij po ndodhë edhe me qeverinë aktuale.

“Nga lufta kundër korrupsionit me rëndësi janë rezultatet. Ju mund të bëni luftë të vazhdueshme por ajo do të ishte e kotë nëse nuk do të kishte rezultate. Mungesa e rezultateve reflektohet në popullaritetin e qeverisë. Që të mund kthehet besimi, nevojitet që për zyrtarët e dyshuar për korrupsion apo shpërdorim të detyrës, të ketë epilog gjyqësor deri sa kjo qeveri është në detyrë dhe jo të ndodhë sikur në të kaluarën, që pas mbarimit të mandatit, të nisin hetimet apo të njëjtit të gjykohen”, thotë Klekovski.

SHIKONI EDHE: Asnjë hetim për zyrtarët e dyshuar për korrupsion

Dyshime për shpërdorim të detyrës janë ngritur edhe kundër Ministrisë të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Gazeta italiane “La Verita”, raportoi se në kontaktet e qeverisë maqedonase dhe prodhuesit kinez të vaksinave, kishte ndërmjetësuar një kompani kineze fantazmë, e cila nuk kishte asnjë lidhje me aktivitetet farmaceutike ose mjekësore.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski së fundi ishte në shënjestër të akuzave nga opozita maqedonase lidhur me përfshirjen në skandalin me pasaportat false për grupe të karteleve të drogës.

Asnjë prej këtyre zyrtarëve, nuk po hetohet lidhur me pretendimet për keqpërdorim të detyrës.