Kthimi i kulanëve të rrezikuar të Kazakistanit

Kjo është një familje kulanësh, një specie kafshësh vendëse në Azinë Qendrore, të cilët duken të ngjashëm me gomarët, por janë po aq të shpejtë dhe të zhdërvjellët sa kuajt.

Kulanët janë tejet të rrezikuar. Një nënspecie kazake e kafshës u zhduk krejtësisht nga Kazakistani në vitet e 1930-ta, kryesisht për shkak të gjuetisë dhe aktiviteteve të tjera njerëzore.

Kafshët në këto fotografi janë nënspecie turkmene e kulanëve, e cila për herë të parë është transportuar në rezervatin Altin Dala në rajonin verior të Kostanait, në Kazakistan, më 2017.

Rezervati Altin dala financohet nga shteti kazak dhe nga grupe gjermane, britanike dhe norvegjeze për mbrojtjen e kafshëve, me qëllim ripopullimin e Kazakistanit verior me tufa të shumta kulanësh. Aktualisht, pesë kulanë mbahen brenda një hapësire prej 40 hektarësh, të rrethuar me gardh.

Rezervati, vend ku qëndrojnë shkencëtarë që punojnë në Altin Dala, ndodhet më shumë se 70 kilometra larg vendbanimit më të afërt të njerëzve. Këtu nuk ka valë telefonike, dhe rojtarët kanë qasje në internet tepër të dobët një herë në ditë, për t’i shikuar mesazhet dhe për të dërguar të dhëna nga hulumtimet.

Albert Salemgareev (i cili në këtë fotografi shihet duke iu ndihmuar nxënësve të shkollave për t’i parë kulanët më 19 qershor) është specialist kazak i mbrojtjes së kafshëve, i cili punon në rezervatin Altin Dala.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë se hapësira ku jetojnë kulanët “është aranzhuar për të krijuar kushtet më natyrore të jetesës” për ta, dhe përfshin një pellg natyral dhe gropa në tokë, të cilat ai thotë se janë të rëndësisë jetike për kulanët, të cilët pëlqejnë “të fshihen në zona të izoluara, larg syrit të rojtarëve tanë”.

Një kulan mashkull herë pas here kapërcen gardhin e rezervatit dhe shëtitet i vetëm.

Salemgareev thotë se kulanët përdorin fuqinë në grup për t’u mbrojtur kundër grabitqarëve. “Ajo që kemi parë është se kur një ujk vjen afër vendit të tyre, kulanët mblidhen bashkë dhe ia ngulin sytë grabitqarit. Rreziku për grabitqarin është shumë i lartë kur është vetëm një ujk përballë katër kulanëve”, thotë shkencëtari.

Gardhi i rezervatit  Altin Dala.

Transportimi i kafshëve që e duan lirinë drejt këtij vendi shoqërohet me vështirësi. Salemgareev pranon se një kulan ka vdekur nga paniku teksa po dërgohej me automjet në Altin Dala, nga jugu i Kazakistanit. “Kur vozisnim nëpër rrugë të drejta, ai ishte i qetë, por kur u futëm nëpër rrugë me gropa, ai nisi të përplasej nëpër dyert e automjetit, duke e përgjakur veten”.

Që prej vitit 2017, nëntë kulanë janë lëshuar në botën e egër. Dy prej tyre janë vrarë nga gjuetarët, të cilët kanë qenë të kujdesshëm duke i lënë pas qaforet për gjurmimin e kafshëve; një ka vdekur nga shkaqe natyrore; ndërsa dy të tjerë janë kthyer në rezervat. Fati i kafshëve të tjera mbetet i panjohur.

Programi synon që të rrisë kulanë të mjaftueshëm në rezervat dhe t’i lëshojë në botën e egër, në mënyrë që kafshët të mund të hiqen nga lista e specieve të rrezikuara të Kazakistanit – një objektiv që me gjasë do të marrë disa dekada kohë për t’u përmbushur.