Në kufirin Bullgari-Rumani s’ka shenja të Schengenit

Radhë të gjata të kamionëve që presin në pikën kufitare Vidin Kalafat, mes Bullgarisë dhe Rumanisë. 25 mars 2024.

AFP

Kur Bullgaria dhe Rumania pjesërisht t’i bashkohen Zonës Schengen të Evropës të dielën, më 31 mars, pas mbi një dekadë negociatash, qindra shoferë të rraskapitur sikurse Anton Antonov, nuk do të kenë shumë arsye për të festuar pasi që kontrollet kufitare tokësore nuk do të zhduken.

Ky shofer bullgar, 48 vjeç, dhe shoferë të tjerë do të vazhdojnë të përballen me pritje të gjata në pikëkalimin e ngarkuar kufitar Vidin-Kalafat, që ndan dy shtetet e Ballkanit, e të cilat mund të udhëtojnë vetëm nga ajri dhe deti për në shtetet e Schengenit.

“Në këtë pikëkalim, gjithmonë pritja është minimum shtatë apo tetë orë” para se kamionistët të mund të kalojnë lumin Danub përmes urës “Evropa e Re”, tha Antonov për AFP-në në agim pasi e kaloi natën duke fjetur në kamionin e tij, pasi po priste në kolonën e gjatë prej një kilometra në anën bullgare të kufirit.

Shoferi i kamionit, Anton Antonov, duke pritur në kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë, afër Vidin. 24 mars 2024.

Mungesa e vendparkingjeve, tualeteve dhe dusheve bën që këto pritje të gjata të jenë rraskapitëse për shoferët e kamionëve dhe ndikojnë në ngadalësimin e tregtisë me pjesën tjetër të Evropës.

Vetoja e Austrisë

Shpresa që Bullgaria dhe Rumania – shtete anëtare të Bashkimit Evropian – të anëtarësohen plotësisht në Schengen u shuan nga Austria, e cila vetëm dhjetorin e vitit të kaluar zbuti qëndrimin, duke lejuar që këto dy shtete të kenë lëvizje të lirë në këtë zonë nga ajri dhe deti, duke nisur nga 31 marsi.

Kroacia, e cila i është bashkuar BE-së pas Rumanisë dhe Bullgarisë, i mposhti këto dy shtete në këtë drejtim pasi në janar të vitit 2023 u bë anëtarja e 27-të e Schengenit.

SHIKONI EDHE:

Kroacia pranohet në zonën SchengenAustria u bën ofertë të kushtëzuar Bullgarisë dhe Rumanisë për Schengen

E krijuar më 1985, zona për lëvizjen pa viza përfshin 23 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, përshirë Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Austria vazhdon të kundërshtojë zgjerimin e plotë të Schengenit në Bullgari dhe Rumani edhe pse nuk ndan një kufi tokësor me këto dy shtete. Vjena druan se migrantët që hyjnë në këto dy shtete do të mundeshin që më pas të udhëtonin të papenguar dhe të aplikonin për azil në shtetet tjera.

Por, disa ekspertë thanë se shqetësimet e Austrisë mund të jenë të nxitura nga motive politike, pasi shteti alpin do të mbajë zgjedhje në vjeshtë dhe në sondazhe aktualisht po prin partia e ekstremit të djathtë, FPOe.

Sipas rregullave, shoferët duhet të pushojnë pas nëntë orësh vozitjeje në ditë.

Holanda, që po ashtu ka kundërshtuar anëtarësimin e Sofjes në Schengen, hoqi dorë nga kundërshtimi i saj në dhjetor dhe mbështeti “pranimin e plotë të Bullgarisë” në zonën e lëvizjs së lirë.

Bullgaria dhe Rumania shpresojnë të integrohen plotësisht në Schengen në fund të këtij viti, edhe pse kriza e fundit politike në Sofje mund të pengojë shanset e saj dhe të pengojë planet për adoptimin vitin e ardhshëm të valutës euro.

Shoferi i kamionit nga Letonia, Gediminas Gostautas, shpreson që integrimi i plotë në Schengen të ndodhë sa më shpejt.

“Schengeni i pjesshëm nuk ma bën aspak më të lehtë jetën”, tha ai teksa po përgatiste ushqim në një sobë me gaz brenda kabinës së kamionit të tij, për shkak të erërave të ftohta jashtë.

“Humbisni minimum 24 orë duke pritur në dy pikat kufitare mes Bullgarisë dhe Rumanisë dhe mes Rumanisë dhe Hungarisë”, tha shofer 42-vjeçar.

Shoferi Gediminas Gostautas luan me gitarë teksa pret në kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë më 24 mars 2024.

Sipas shoqatave ndërkombëtare të transportuesve, 92 për qind e eksporteve bullgare për në BE kalojnë transit përmes rrugëve tokësore dhe kryesisht transportohen përmes kamionëve dhe në një masë më të vogël përmes transportit hekurudhor.

Dhënia fund e kontrolleve kufitare tokësore jo vetëm që do të përshpejtonte transitin, por do të reduktonte kostot e transportit, duke ofruar një shtysë të nevojshme ekonomike.

Po ashtu do të përshpejtonte transitin e mallrave në dhe nga Turqia fqinje, një partnere e madhe tregtare e BE-së.

Shoferët presin që në fund të vitit të shohin vetëm shenja ku shkruhet "Mirë se vini".

Këshilla dhe vigjilencë

Masat, sikurse udhëtimet gjatë natës kur shumica e shoferëve flenë, konsultimi i shpeshtë me Google Maps apo konsultimi me kolegë që veçse janë bllokuar në radhë të gjata, mund të reduktojnë kohën e pritjes, por koha e shpëtuar është minimale.

Për më tepër, kamionistët ende duhet të respektojnë ndalesat e detyrueshme të pushtimi. Ata duhet të pushojnë pas çdo nëntë orë vozitjeje brenda ditës.

Radhë e gjatë prej kilometrash e kamionëve që presin të kalojnë kufirin mes Bullgarisë dhe Rumanisë.

Pasi që shoferëve u ndalohet të lëvizin automjetet e tyre gjatë kohës së pushimit, shumica nga ta vendosin shenja sinjalizuese në automjetet e tyre për t’iu treguar shoferëve të tjerë se mund t’i tejkalojnë dhe kjo shkakton radhë edhe më të gjata në trafik, tha Gostautas.

Shoferëve po ashtu iu duhet të jenë vigjilentë gjatë pushimeve në rrugë, pasi migrantët mund të tentojnë të hipin në kamionët e tyre dhe të fshihen aty.

“Shpresoj që më vonë gjatë këtij viti, do Zoti, edhe ne do t’i bashkohemi [Schengenit] përmes rrugëve dhe kufijve tokësorë sikurse Evropa Perëndimore dhe të shohim vetëm shenja ku shkruan ‘Mirë se vini’”, tha Antonov.

Përgatiti: Mimoza Sadiku