Shpëtimi i kuajve të egër të Rumanisë

Një rrëfim për klimën dhe këmbënguljen: vendasit iu lutën zyrtarëve të rezervatit që të vepronin shpejt pasi vala e të nxehtit po thante e gropat e vetme të ujit të këtyre kuajve të egër të deltës së Danubit.

Malet Letea, Rumani - Kuajt e egër të Leteas po thaheshin së bashku me gjithçka tjetër në një nga ligatinat më të mëdha në botë.

Por, ndërsa një tjetër valë e të nxehtit filloi këtë muaj në këtë hapësirë të pyllëzuar të deltës së Danubit, kujdestarët e rezervatit më të vjetër natyror të Rumanisë dukeshin të pavëmendshëm ndaj rrezikut nga thatësira.

Vendasit dhe turistët kishin paralajmëruar për javë të tëra se dy gropat e vetme të ujit në 3.000 hektarë të pyllit Letea, ishin tharë. Njëra prej tyre ishte e mbushur me baltë sikurse një kujtim për ujin që normalisht buron dhe mban gjallë kuajt endacakë në sezonin e thatë.

Kuajt e egër, më të mëdhenjtë nga kafshët që vareshin nga këto burime, ishin të rrezikuar nga dehidrimi dhe ngordhja.

Pamje nga ajo çfarë ka mbetur në një prej dy gropave të ujit që normalisht i mbajnë kuajt dhe kafshët e tjera të egra brenda zonës së mbrojtur të Pyllit Letea, më 12 gusht, disa javë pasi zyrtarët u zotuan të sigurojnë ujë të mjaftueshëm.

I rrethuar me gardh gati një dekadë më parë në një përpjekje të diskutueshme për të nxitur rritjen e fidanëve të plepit që do të mbronin ekosistemin dhe për të zhvilluar turizmin, qindra kuaj u penguan të arrinin në Liqenin Merhei, që ndodhet vetëm disa kilometra në perëndim, ose te ndonjë burim tjetër uji.

“Në vend që të rrethohej vetë rezervati, i cili kishte për qëllim të mbronte kafshët e egra, kuajt dhe kafshët e tjera në pyll që tani janë të etura, u kapën”, tha për Shërbimin rumun të RFE/RL-së një vendas, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Së fundi, të përballur me fotografitë dhe dokumentimin e Radios Evropa e Lirë të situatës së rëndë brenda Pyllit Letea dhe me banorët vendas që kërcënojnë se do të hedhin rërë duke penguar vetë puset e fjetura, zyrtarët e rezervatit kanë ndërmarrë aksion për pastrimin e rërës nga të dy burimet në mënyrë që ujërat nëntokësorë të dalin në sipërfaqe.

Guvernatori i Rezervatit së Biosferës së Deltës së Danubit urdhëroi gjithashtu hapjen e një porte perëndimore që çon në Liqenin Merhei, e cila do të lejojë kalimin e kuajve dhe kafshëve të tjera të mëdha.

Brenda pak orësh, kuajt u kthyen në gropat e ujitjes dhe zyrtarët e rezervatit u zotuan të ruanin rrjedhën e puseve ekzistuese në të ardhmen dhe të identifikonin vendet e ujërave nëntokësore.

Rreth 50 kuaj të egër të Leteas iu afruan shpejt njërës prej dy gropave të ujit më 16 gusht pasi burimet u pastruan nga rëra e mbushur që po pengonte ujin të depërtonte në sipërfaqe.

Gjendja e kuajve tregon efektet shkatërruese të thatësirës dhe temperaturave ekstreme në vende si Rumania, që varet shumë nga ekosistemi i deltës dhe kanalet e tjera ujore për turizmin dhe tregtinë, ndërsa ekspertët dhe aktivistët kërkojnë masa për të frenuar ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.

Kuajt e Leteas

Kuajt e deltës së Danubit janë ndër kuajt e fundit të pazbutur të kontinentit.

Rritja e numrit të tyre në dekadat e fundit -- vlerësimet janë rreth 4.000 - 5.600 midis shpërndarësve Sulina dhe Çilia -- kanë nxitur konservatorët të paralajmërojnë për rrezikun nga mbikullotja e florës së rrezikuar në deltën e Danubit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ujërat e të cilit derdhen në Deti i Zi.

Kuajt e sotëm të deltës së Danubit janë rezultat i gërshetimit midis popullatave ekzistuese dhe qindra kuajve të zbutur nga fermat kolektive në vështirësi, pas rënies së komunizmit më 1989.

Në mënyrë kundërthënëse, rreth një dekadë më parë, Autoriteti i Rezervës së Biosferës së Deltës së Danubit (ARBDD) dhe një organizatë jofitimprurëse lokale, bënë rrethimin me një gardh të gjerë, brenda të cilit kuajt mund të enden dhe të kullosin. Ideja ishte të sigurohej që flora e rrallë, fauna dhe insektet të mund të lulëzojnë në mijëra hektarë të Pyllit Letea të mbetur jashtë rrethojës.

Rezervati i deltës së Danubit prej 5.800 kilometrash katrorë është një parajsë e vëzhguesve të shpendëve që shtrihet në kufirin rumuno-ukrainas dhe siguron miliarda lei (njësia monetare rumune) nga turizmi.

Projekti prej dy milionë dollarësh u përfundua në vitin 2014 dhe prezantoi rreth 22 kilometra gardh të dyfishtë -- rrethojë me tela të lidhura në shtyllat e çimentos, të përforcuara me një pengesë tjetër me tela me gjemba -- për të kufizuar lëvizjen e kuajve në rreth 2.800 hektarë të pyllit prej 5.300 hektarësh dhe mban larg edhe bagëtinë e banorëve vendas. Rrethoja ndihmon gjithashtu në menaxhimin e ekoturizmit.

Dy gropa ujitje, ku gurgullojnë burimet e ujit nëntokësor, shtrihen pranë portave brenda rrethimit.

Rreziku nga thatësira

Rumania lindore në veçanti është goditur nga thatësira këtë vit, duke përmbysur parashikimet bujqësore për grurin, misrin dhe kulturat e tjera dhe duke penguar prodhimin e energjisë elektrike tashmë nën presionin e pasojave të pushtimit 6-mujor të Rusisë në Ukrainën fqinje.

Trafiku detar në Lumin Danub, një mjet shpëtimi ekonomik, është penguar gjithashtu pasi avullimi dhe temperaturat e ulëta ndikojnë në nivelet e ujit dhe shtretërit e lumenjve, duke kontribuar në një grumbullim të madh të anijeve këtë verë.

Në korrik, ministrja e Mjedisit, Barna Tanczos, paralajmëroi se thatësira po prek rreth tri të katërtat e popullsisë së Rumanisë prej rreth 20 milionë banorësh dhe u kërkoi banorëve ta kursejnë ujin.

Gama e kuajve është pjesërisht e kufizuar, sepse kullosja e tyre është shkatërruese për ekosistemin delikat të deltës së Danubit, duke përfshirë florën si dhe lloje të rralla lulesh.

Po ashtu në korrik, kur një pjesë e madhe e Evropës u godit nga thatësira dhe vala e të nxehtit, që sipas shkencëtarëve, do të jenë më të shpeshta dhe po shkaktohen nga ndryshimet klimatike, banorët dhe turistët vunë re se të dy pikat e ujitjes në Letea ishin tharë.

Por, edhe disa javë më vonë, ARBDD-ja dhe partnerët e saj ende nuk kishin ndërmarrë ndonjë veprim.

Më 9 gusht, ARBDD-ja lëshoi një deklaratë për shtyp duke pranuar rrezikun të cilit i ishin ekspozuar kuajt e Leteas dhe paralajmëroi se në disa raste, ata "nuk mund të ndërhyjnë fare sepse çdo qëllim për të zhbllokuar ose nxjerrë ujë atje, do të dëmtonte në mënyrë të pariparueshme... [ekosistemin]. "

Por, drejtoresha ekzekutive e ARBDD-së, Viorica Bisca, gjithashtu pohoi se ata vepruan në "zonën e mbrojtur rreptësisht" për t'i shpëtuar kuajt që varen nga gropat e ujit për të mbijetuar.

Por, banorët kanë mohuar se është vepruar dhe fotografitë që u publikuan më vonë duket se mbështesin këtë pretendim të banorëve.

Kuajt përreth një prej gropave të thara të ujitjes në zonën e mbyllur të Pyllit Letea më 12 gusht.

“Mjafton të gërmosh vetëm gjysmë metri në tokë dhe uji të nisë të rrjedhë”, tha për Radion Evropa e Lirë një banor, i cili i njeh kushtet e thatësirës brenda Pyllit Letea.

Mbledhja e fondeve nga banorët lokalë

Kryetari i bashkisë së afërt të Rosettit, Antonel Pocora, u ankua se problemi do të merrte gjysmë ore për t'u zgjidhur duke pastruar baltën dhe rërën sipërfaqësore që pengonin rrjedhjen e ujit në burime.

Pocora tha se komuniteti kishte një buldozer në dispozicion, mirëpo veprime të tilla ishin rreptësisht të ndaluara pa miratimin e qartë të autoriteteve mjedisore.

Për më tepër, tha ai, është detyrë e administratorit të rezervatit dhe e partnerit lokal, Drejtorisë së Pyjeve Tulçea, të menaxhojnë rezervatin.

Të dëshpëruar për të ndihmuar, u organizua mbledhja e fondeve për të siguruar karburante për automjetet dhe pajisjet që mund të zgjeronin gropat e ujitjes.

Zyra e Pocoras që më 22 korrik i kishte kërkuar ARBDD-së që të ndërhynte në mënyrë ligjore në Drejtorinë e Pyjeve të Tulçesë për të shpëtuar kuajt. Atyre iu tha se një përfaqësues do të "udhëtonte në zonë për të identifikuar dhe gjetur disa zgjidhje për situatën e krijuar".

"Askush nuk e shkatërroi këtë ekosistem -- madje as Perandoria Osmane", i tha Radios Evropa e Lirë një tjetër banor, i cili gjithashtu kërkoi të mos i përmendet emri.

“Tani zonja Bisca thotë se po shkatërrojmë ekosistemin nëse [ndihmojmë] ato dy gropa ujitjeje dhe presim shiun, kur më 2019 dhe 2020 nuk ra fare shi".

Një familje kuajsh i shpëtuan rrethimit mes thatësirës në korrik, ndoshta në kërkim të ujit, duke u plagosur në tela me gjemba gjatë ikjes.

Një aktivist i shquar për të drejtat e kafshëve, Kuki Barbuceanu, iu drejtua ARBDD-së më 26 korrik.

Barbuceanu dhe grupi i tij aktivist në atë kohë, Vier Pfoten Rumania, fillimisht u interesuan për popullsinë në rritje e sipër të kuajve të egër në Letea gjatë një projekti fatkeq për të zgjedhur disa nga kafshët për mish më 2011.

"Në këtë moment, gropa është plotësisht e thatë dhe kafshët, në kërkim të ujit, do të migrojnë në zona të tjera të pyllit [të mbrojtur] dhe ata që tashmë janë prekur ndoshta do të ngordhin", paralajmëroi Barbuceanu.

Banorët vendas ndanë imazhe me Shërbimin Rumun të Radios Evropa e Lirë të të dy gropave të ujitjes ende të thara javë më vonë.

Guvernatori i ARBBD-së, Teodosie Gabriel Marinov, nuk iu përgjigj thirrjeve telefonike apo e-maileve të Radios Evropa e Lirë për ndonjë koment.

Shërbimi Rumun i Radios Evropa e Lirë publikoi një artikull mbi gjendjen e vështirë të kuajve më 12 gusht.

Më 14 gusht, Marinov vizitoi zonën e prekur për të inspektuar vetë problemin.

Marinovi hapi portën perëndimore të rezervatit e afërt me liqenin Merhei pas javësh presioni lokal -- i përforcuar nga pamjet dhe raportimet e Radios Evropa e Lirë -- më në fund i shtyu zyrtarët të zhbllokonin gropat e ujitjes dhe të lehtësonin qasjen e kafshëve në burime të tjera uji.

Marinovi hapi menjëherë portën perëndimore të rezervatit, atë që ishte më e afërt me liqenin Merhei, për të lejuar kuajt dhe kafshët e tjera që nuk mund ta kalonin gardhin e dyfishtë, që të pinin nga liqeni derisa të hiqej thatësira.

Më pas, gjatë tri ditëve më 14-16 gusht, në të dyja gropat e ujitjes u gërmua pak për të lejuar që ujërat nëntokësore të dalin në sipërfaqe.

Brenda pak minutash në rastin e një prej burimeve, dhjetëra kuaj dhe mëza të zinj po pinin me padurim nga ujërat e tij të turbullta.

Shkruar nga Andy Heil, bazuar në raportimin nga korrespondentja e Shërbimit Rumun të Radios Evropa e Lirë, Dora Vulcan
Përgatiti: Syzanë Paçarizi