Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Merrick Garland bëri të ditur më 18 nëntor se ka emëruar ish-prokurorin e Hagës për krime lufte, Jack Smith për të mbikëqyrur hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.
Departamenti i Drejtësisë tha se kandidimi i ri i Trump për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, nxiti vendimin e Garland për të përdorur një avokat të specializuar.
Prokurori i posaçëm, Smith, do t'i raportojë prokurorit të përgjithshëm Garland, i cili ka fjalën përfundimtare nëse do të ngrejë akuza.
Në një deklaratë pas njoftimit, Smith u zotua të kryejë hetimet “në mënyrë të pavarur dhe në traditat më të mira të Departamentit të Drejtësisë.”
SHIKONI EDHE: Trump përballë problemeve ligjore teksa synon Shtëpinë e BardhëSë fundmi, Jack Smith ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë Speciale në Hagë që heton krimet që dyshohet se u kryen nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës.
Ai ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë të ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Jack Smith po ashtu drejtoi seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe më vonë shërbeu si kryeprokuror federal në Nashville, Tenesi, gjatë administratës së presidentit Barack Obama.
Smith filloi karrierën e tij si ndihmës prokuror qarku në Zyrën e Prokurorit të Nju Jorkut në vitin 1994. Ai iu bashkua Distriktit Lindor të Nju Jorkut në vitin 1999 si ndihmës avokat i SHBA-së, ku ai ndoqi penalisht çështje duke përfshirë shkeljet e të drejtave civile dhe oficerët e policisë të vrarë nga bandat , sipas Departamentit të Drejtësisë.
Duke filluar nga viti 2008, ai punoi për Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe mbikëqyri hetimet e krimeve të luftës nën Zyrën e Prokurorit për dy vjet. Në vitin 2010, ai u bë shef i Seksionit të Integritetit Publik të Departamentit të Drejtësisë, ku mbikëqyri çështjet gjyqësore të rasteve të korrupsionit publik përpara se të emërohej ndihmësi i parë i avokatit të SHBA-së për Distriktin e Tenesit në 2015-n.
Ai u largua nga Departamenti i Drejtësisë në vitin 2017 pasi ishte prokuror në agjenci për më shumë se 16 vjet. Në vitin 2018, ai u bë kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, ku hetoi krimet e luftës në Kosovë.
"Gjatë gjithë karrierës së tij, Jack Smith ka ndërtuar një reputacion si një prokuror i paanshëm dhe i vendosur, i cili udhëheq ekipet me energji dhe fokus për të ndjekur faktet kudo që të çojnë," tha Garland gjatë njoftimit të premten.
"Smith është zgjedhja e duhur për t'i përfunduar këto çështje në mënyrë të paanshme dhe urgjente.”