Ballkani Perëndimor - prioritet i kryesimit çek me BE-në

Flamujt e BE-së - Fotografi ilustruese.

Çekia, nga 1 korriku, mori kryesimin e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, që zgjat deri në fund të këtij viti.

Në gjashtë muajt paraprakë, në këtë pozitë ishte Franca.

SHIKONI EDHE: Franca merr drejtimin e Presidencës së BE-së


Sipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Një diplomat i lartë evropian tha se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe Ballkanin Perëndimor.

Ky burim tha se në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë dhe se kjo vlen edhe për raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Çekia shpreson që gjatë presidencës së saj të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor - të nisin negociatat e anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor me "rëndësi strategjike" për BE-në


Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës - pra, në muajin e parë të kryesimit çek.

Sa i përket liberalizimit të vizave me Kosovën, Çekia, sipas burimeve diplomatike, është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

SHIKONI EDHE: KE: Nuk ka udhërrëfyes shtesë për vizat

Komisioni Evropian ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave duhet të përmbyllet sa më shpejt. Por, disa vende anëtare, si Franca, vazhdojnë të shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Diplomatët në Bruksel thonë se Çekia, në cilësinë e kryesueses së BE-së, do të konsultohet me vendet anëtare dhe se ajo ka shprehur gatishmëri që ta çojë përpara këtë proces.

Gjatë kryesimit çek pritet të përmbyllet edhe procedura e hyrjes së Kroacisë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Ky shtet, i cili është bërë anëtar i BE-së para saktësisht nëntë vjetësh - më 1 korrik, 2013 - pritet të hyjë në zonën Schengen më 1 janar të vitit 2023, prej kur edhe nuk do të ketë më vendkalime kufitare nga Kroacia për në vendet e tjera të BE-së.

Franca e ka dorëzuar propozimin formal për hyrjen e Kroacisë në zonën Schengen vetëm një ditë para përfundimit të kryesimit të saj dhe tash Çekisë i mbetet të përmbyllë vetëm pjesën formale, pasi Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kroacia i ka përmbushur të gjitha kushtet.

Zakonisht, shtetet që marrin kryesimin e BE-së i përgatisin prioritetet e tyre disa vite më herët, por ndryshimet e rrethanave bëjnë që edhe prioritetet të ndryshojnë.

Kështu, Çekisë i imponohen si prioritete menaxhimi i krizës së refugjatëve nga Ukraina; vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, për t’u përballur në secilin aspekt me agresionin e Rusisë; siguria e furnizimit me energji, që nënkupton zvogëlimin e varësisë nga Rusia; forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë në BE dhe forcimi i institucioneve demokratike.

SHIKONI EDHE: Rritet numri i kërkesave për azil në BE

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Herën e parë, ky shtet ka kryesuar në vitin 2009. Gjatë kryesimit të atëhershëm, Qeveria çeke është rrëzuar, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Diplomatët në Bruksel thonë se nuk janë të sigurt nëse Çekia do të organizojë ndonjë takim të liderëve të BE-së me kolegët nga Ballkani Perëndimor.

Një diplomat i lartë tha se samiti i fundit në Bruksel i BE-së me liderët e rajonit, që është mbajtur javën e kaluar, ka qenë “një dështim aq i madh, saqë tani do të ketë hezitim të organizohet një takim i tillë, nëse nuk ka sinjale të qarta se do të ketë progres konkret” për vendet që aspirojnë integrimin në BE.

SHIKONI EDHE: Zhgënjimi i Ballkanit me BE-në

Çekia, gjithsesi, do të organizojë një takim të liderëve në Pragë, më 6 tetor, kur do të diskutohet për “Evropë më të gjerë”- pra, për raportet mes BE-së dhe vendeve të tjera evropiane që nuk janë në BE. Por, për formatin e këtij takimi do të vendoset më vonë.