Kryeqyteti indian kërkon ndihmën e ushtrisë për përballje me pandeminë

Pamje nga një dhomë spitali në Indi.

Autoritetet e kryeqytetit indian Nju Delhi kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë, teksa i gjithë shteti po përballet me valën e dytë të pandemisë së koronavirusit.

Spitalet në këtë qytet janë në krizë, meqë shtretërit në dhomat për kujdes intensiv janë të mbushur dhe ka mungesë të madhe të oksigjenit mjekësor.

SHIKONI EDHE: Kritikët: Ndalesa e Australisë për kthim nga India, raciste

Qeveria në Delhi kërkon që ushtria të drejtojë zonat ku po trajtohen të prekurit nga COVID-19, sëmundja që shkakton koronavirusi.

Zëvendës-shefi i ministrave në Delhi Manish Sisodia ka thënë se pasi sistemi shëndetësor është mbingarkuar është koha që njerëzit e Delhit të ndihmohen nëse Ministria e Drejtësisë, me burimet që ka, ofron më shumë njerëz në qendrat për COVID.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për ndihmë “urgjente” të transportimit të oksigjenit tejet të nevojshëm.

SHIKONI EDHE: Çfarë është varianti indian i koronavirusit?

Në gjithë Indinë, numri i të infektuave me koronavirus, prej shpërthimit të pandemisë, i është afruar shifrës 20 milionë.

Ky shtet ka regjistruar nga 300,000 raste të infektimit në ditë për gati dy javë.

Numri total i viktimave ka shkuar në 220,000.

Ekspertët besojnë se shifrat totale të të infektuarve dhe vdekurve me koronavirus janë shumë më të mëdha, pasi ka mungesë të testeve dhe shumë pacientë po vdesin nëpër shtëpi, larg syve të mjekëve.