Krerët e shtetit kërkojnë “pajtim të qytetarëve”

Shënimi i Kryengritjes së Ilindenit, Krushevë, 2 gusht 2019.

Pajtimi qytetar dhe bashkimi i të gjitha forcave relevante në shtet për t’u dhënë shtytje proceseve integruese ka qenë kryefjala e porosive të liderëve institucionalë të Maqedonisë së Veriut me rastin e shënimit të 2 gushtit, Ditës së Kryengritjes së Ilindenit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka bërë thirrje për bashkim, me ç`rast ka theksuar se Ilindeni, i cili këtë vit shënohet nën moton “Ne të gjithë jemi fëmijë të Ilindenit” paraqet simbol për bashkim.

Zaev nga Krusheva ka porositur se duhet t’u jepet fund politikave ndarëse.

Ai ka theksuar se ndarjet nuk paraqesin në asnjë mënyrë patriotizëm, duke shtuar se në këtë moment, të gjithë duhet të bashkohen për të ardhmen e gjeneratave të reja.

“Meçkin Kamen nuk duhet të jetë gurrë përçarjeje, por gurrëbashkimi. U bashkuam me fqinjët dhe vendet e Bashkimit Evropian.Ilindeni është thirrje për bashkim dhe jo për përçarje. Bashkë për ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme dhe për brezat e rinj. Do të vazhdojmë bashkë ta ndërtojmë të ardhmen e vendit”.

“Të gjithë ne, maqedonas, shqiptar, turq, vlleh, boshnjak, romë etj vlerësojmë se detyrë patriotike është të bashkohemi dhe pajtohemi brenda nesh”, ka theksuar Zaev.

Presidenti Stevo Pendarovski gjatë shënimit të Kryengritjes së Ilindenit më 2 gusht 2019

Ndërkaq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka theksuar se pajtimi ndërmjet qytetarëve mund të ndodhë vetëm përmes sundimit të drejtësisë.

“Sfida më e madhe për ne sot është pajtimi qytetar. Rruga drejt pajtimit kalon përmes drejtësisë së themeluar në të vërtetën. Për drejtësi të vërtetë nevojitet sundimi i drejtësisë. Kjo duhet të paraqesë vlerë themelore, me të cilën nuk guxon askush të bëjë kompromis”, ka theksuar Pendarovski.

Me rastin e festës së Ilindenit nga Pelinca, kryetari i Pralamentit maqedonas Talat Xhaferi, ka theksuar se Maqedonia e Veriut përgjatë këtyre dy vjetëve e gjysmë, ka kaluar, siç është shprehur ai, vitet më të “nxehta” në historinë e saj.

Sipas tij, Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë, andaj së bashku duhet të angazhohen për ta ruajtur dhe zhvilluar për të gjithë qytetarët dhe për brezat e ardhshëm.

“Kjo është koha e liderëve të guximshëm me vizion dhe arsye, të cilët e shohin Evropën të bashkuar dhe të tërë me të gjitha vendet të cilat gjeografikisht dhe në mënyrë civilizuese, janë pjesë e natyrshme e saj”, ka theksuar Xhaferi.