Rikonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë së Malit të Zi, i cili provokoi konflikt ndërmjet partive të shumicës në pushtet, është kritikuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila pret që Qeveria aktuale të mbajë Malin e Zi në kursin euroatlantik.
Një ditë pasi një pjesë e shumicës parlamentare, Fronti Demokratik (DF) dhe Mali i Zi Demokratik, propozuan një riorganizim të Qeverisë, ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, ka thënë se ajo pret që kryeministri, Zdravko Krivokapiq, kryetari i parlamentit Alleksa Beçiq dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq të mbajnë premtimet që i kanë dhënë në shtator të vitit të kaluar - për të mbajtur Malin e Zi në kursin euro-atlantik dhe t’i ruajnë elementet kryesore të politikës së jashtme malazeze, si dhe të merren me reformat si një çështje prioritare, në mënyrë që të përshpejtojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Nga Qeveria e ekspertëve deri te Qeveria politike
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse rikonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë është në kundërshtim me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, Zoran Vujiçiq, koordinator në Aleancën Qytetare, thotë se një gjë e tillë është në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme të shumicës aktuale parlamentare.
“Një gjë e tillë jo vetëm që është në kundërshtim me atë që dëshiron me bashkësinë ndërkombëtare, por është në kundërshtim me atë që u ra dakord pas zgjedhjeve parlamentare. Marrëveshja fillestare ishte që kjo Qeveri të ishte e ekspertëve, kur u nënshkrua Marrëveshja që Mali i Zi nuk do të devijojë nga kursi euroatlantik dhe bashkësia ndërkombëtare u pajtua me këtë. Ajo që ndodhi ndërkohë ishte pikërisht e kundërta e asaj marrëveshjeje. Edhe këto kërkesa që janë shfaqur tani janë në kundërshtim me dëshirat e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Vujiçiq.
SHIKONI EDHE: Abazoviq thotë se mund ta përmbysë Qeverinë e Malit të ZiMarrëveshja e DF-së dhe Demokratëve
Fronti Demokratik dhe Demokratët ranë dakord se është e nevojshme të rindërtohet Qeveria e 42-të ekzistuese e Malit të Zi në atë mënyrë që në vend të 12 ministrive të mëparshme, të ketë 18 ministri dhe tre nënkryetarë, ku nënkryetarët të jenë gjithashtu ministra të linjës. Rikonstruktimi parashikon që partitë politike të emërojnë përfaqësuesit e tyre.
Duke rikujtuar se bashkësia ndërkombëtare dëshiron një vend të qëndrueshëm dhe demokratik me të cilin ata mund të bashkëpunojnë, Zoran Vujiçiq thotë se elitat politike në Mal të Zi duhet t’i marrin më seriozisht sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.
“Ajo që ka ndodhur në periudhën e mëparshme nuk u jep të drejtë as qytetarëve dhe më pas as bashkësisë ndërkombëtare që të kenë ndjesinë se çfarë do të thotë stabiliteti në shtet. Nuk do të doja që të arrijmë në një situatë ku nga bashkësia ndërkombëtare të marrim vërejtjet që do të jenë shumë më serioze. Dhe kjo do të thotë që në mënyrë të hapur të na ngadalësohet rruga jonë drejt Bashkimit Evropian dhe të arrijmë në një situatë ku anëtarësimi ynë në NATO të rishqyrtohet”, theksoi Vujiçiq.
SHIKONI EDHE: Humbja e shtetit dhe kishës në CetinjeURA nuk e pranon rikonstruktimin e Qeverisë
Në marrëveshjen për rikonstruktimin e Qeverisë nuk ka marrë pjesë partnerja më e vogël në pushtetin shumicë, Lëvizja qytetare, URA.
URA u bëri thirrje Demokratëve dhe Frontit Demokratik që të njoftojnë nëse propozimi për rikonstruktim nënkupton tërheqjen e nënshkrimeve nga Marrëveshja e shtatorit të vitit 2020. Kjo marrëveshje ishte baza për formimin e të ashtuquajturës Qeveri të ekspertëve dhe në të cilën u përcaktuan parimet, sipas të cilave kursi i politikës së jashtme të vendit, anëtarësimi në NATO, njohja e Kosovës nuk do të vihen në dyshim.
URA u tha partnerëve të saj qeveritarë se në rast se do të mund të gjenin shumicën parlamentare që do të mbështeste riorganizimin e Qeverisë, ata “mund të caktonin menjëherë një seancë parlamentare”.
Nga 81 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, tre koalicionet e drejtuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja qytetare URA kanë një shumicë minimale prej 41 vendesh në parlament në krahasim me opozitën aktuale të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve.
URA, e cila aktualisht kundërshton formën e publikuar për rikonstruktim të Qeverisë, ka katër deputetë.
Kryeministri Zdravko Krivokapiq reagoi gjithashtu me përmbajtje ndaj marrëveshjes midis Frontit Demokratik dhe Demokratëve për rikonstruktimin e Qeverisë. Pikëpamja e tij është se “Qeveria e ekspertëve është modeli më i mirë për udhëheqjen e reformave dhe tranzicionit, por që kjo nuk do të thotë që ekspertët në Qeveri nuk mund të emërohen nga partitë politike”.
“Unë do t'i shqyrtoj me shumë kujdes të gjitha nismat dhe propozimet e reja për përmirësimin e punës së Qeverisë, të cilat kanë ardhur dhe do të vijnë nga përfaqësuesit e shumicës parlamentare dhe prapa së cilave qëndrojnë të paktën 41 deputetë”, ka shkruar kryeministri Krivokapiq në Twitter.
Partitë e pakicave në përllogaritje
Siç kanë paralajmëruar autorët e rikonstruktimit të Qeverisë nga Demokratët dhe Fronti Demokratik, nëse partneri më i vogël nuk pranon ndryshime në ekzekutiv, do të kërkojnë mbështetjen midis partive të pakicave.
Kryetari i Demokratëve dhe njëkohësisht edhe i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq, ka thënë që partitë e pakicave duhet të jenë pjesë e çdo qeverie, pavarësisht se kush e bën dhe e konstituon atë, duke shtuar se rikonstruktimi i Qeverisë është i nevojshëm për ta forcuar atë dhe për të filluar proceset e reformave.
Një nga drejtuesit e Frontit Demokratik, Milan Knezheviq, ka thënë se është duke pritur përgjigje pozitive nga pakicat kombëtare ndaj ftesës së tyre për të marrë pjesë në qeverinë e rikonstruktuar.
“Konsideroj që pakicat duhet të jenë pjesë e rikonstruktimit të Qeverisë, pra edhe përfaqësuesit e partive shqiptare dhe Partisë Boshnjake”, ka thënë Knezheviq në një intervistë për Televizionin e Malit të Zi.
SHIKONI EDHE: Komuna e Tuzit i ankohet SHBA-së për "diskriminim" nga Qeveria e Malit të ZiZëdhënësi i Partisë Boshnjake, Adel Omeragiq tha për Radion Evropa e Lirë se kjo parti është për çdo bisedë, por është shumë herët për të folur për ndonjë pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme.
“Është shumë herët për çfarëdo rrëfimi lidhur me pjesëmarrjen e partive të pakicave në pushtetin ekzekutiv. As pozitat ministrore dhe as ulëset e drejtorëve nuk janë përparësitë tona. Ne mbështesim bisedimet, duam stabilizim të situatës politike, por me ato struktura politike që duan të vazhdojnë rrugën evropiane, me ata që respektojnë pozicionin e pakicave në Mal të Zi dhe ndajnë me ne të njëjtat vlera programore”, tha Omeragiq.
Më herët, partitë e pakicave kanë pasur qëndrim mjaft të rezervuar ndaj Qeverisë aktuale dhe nuk kanë pranuar që të jenë pjesë në Qeverinë e Zdravko Krivokapiqit, për shkak se, ndër të tjera, shumicën në pushtet e përbëjnë partitë që nuk pranojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi e para së gjithash Fronti Demokratik pro-serb.
SHIKONI EDHE: Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në SrebrenicëPërveç faktit se një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e problematizoi rikonstruktimin e paralajmëruar të Qeverisë, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë janë kritikuar edhe lëvizjet e partive në pushtet, të cilat edhe më tej e përçajnë publikun malazez.
Ambasadoret e Shteteve të Bashkuara, Judy Rising Reinke dhe Britanisë së Madhe, Karen Maddox, në një tekst autorial të përbashkët, më 17 shtator, gjithashtu problematizuan shpalljen e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë, për të cilin këmbëngul Fronti Demokratik.
SHIKONI EDHE: Në Ballkan, numërimi nuk është kurrë i lehtë si 1, 2, 3....Kjo aleancë politike, në fokusin e së cilës është regjistrimi i qytetarëve të Malit të Zi në raport me përkatësinë e tyre kombëtare dhe fetare, njoftoi përmbysjen e Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit nëse Ligji për regjistrim nuk miratohet në shtator.
“Pyesim veten se cili është përfitimi nga mbajtja e regjistrimit kombëtar, me të cilin, në këtë moment, do të mblidhen të dhënat që kanë të bëjnë me identitetin etnik – forca të caktuara politike në mënyrë cinike po e avokojnë këtë përpjekje, duke shpresuar që kjo do të nxisë edhe më tej një pykë ndërmjet atyre që identifikohen si malazezë dhe atyre që identifikohen si serbë. Si e ndihmon kjo vendin të përparojë?”, kanë pyetur ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në tekstin e tyre autorial.
Opozita kërkon zgjedhje të reja
Paralelisht me propozimin e shumicës qeverisëse për rikonstruktimin e Qeverisë, liderët e të gjitha partive opozitare mbajtën një takim të përbashkët duke deklaruar se “e vetmja rrugëdalje nga kriza politike është formimi i një Qeverie kalimtare me mandat të kufizuar, me detyrën që të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, në të cilat do të mbroheshin të gjitha vlerat që janë themel i Malit të Zi modern”.
Opozita ka vlerësuar që Mali i Zi gjendet në udhëkryq midis shtetit kombëtar dhe qytetar, teokratik dhe laik, mesjetar dhe modern.
SHIKONI EDHE: Tensione në rritje në Mal të Zi“Për shkak të të gjitha këtyre, të gjitha partitë parlamentare opozitare kanë arritur marrëveshje, e cila ka për qëllim që të mbrojë karakterin qytetar dhe sekular të shtetit dhe orientimin e politikës së saj të jashtme të orientuar kah anëtarësimi i plotë në BE”, është thënë në komunikatën e Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratëve dhe partive të pakicave boshnjake dhe shqiptare.