Kryediplomati kinez, Putinit: Vendet tjera nuk mund të ndikojnë në marrëdhëniet tona

Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) dhe kryediplomati kinez, Wang Yi (majtas). Moskë, 22 shkurt 2023.

Kryediplomati kinez, Wang Yi, i tha të mërkurën presidentit rus, Vladimir Putin, se marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë nuk do t'i nënshtrohen presionit nga vendet e tjera.

Ai tha se Pekini është i gatshëm ta forcojë partneritetin me Moskën.

Putini tha se marrëdhëniet me Kinën po zhvillohen mirë, dhe se bashkëpunimi me Kinën është shumë i rëndësishëm për vendin e tij.

Ai shtoi se mezi pret që të flasë me diplomatin kinez të për situatën aktuale ndërkombëtare, të cilën ai e përshkruan si "të vështirë".

Presidenti rus tha gjithashtu se pret që homologu i tij kinez, Xi Jinping, ta vizitojë Rusinë.

Më herët, Wang Yi i tha ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se pret me padurim arritjen e marrëveshjeve të reja, duke mos dhënë detaje specifike se çfarë marrëveshjesh mund të arrihen gjatë vizitës së tij në Moskë.

“Miku im i dashur, jam i gatshëm të shkëmbej mendime me ju për çështje me interes të përbashkët dhe mezi pres të arrijmë marrëveshje të reja”, tha zyrtari më i lartë për politika të jashtme në Partinë Komuniste të Kinës.

“Pavarësisht se si ndryshon situata ndërkombëtare, Kina ka qenë dhe mbetet e angazhuar, së bashku me Rusinë, për të ruajtur trendin pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet fuqive të mëdha”, tha Wang Yi.

Vizita e tij në Rusi vjen në prag të shënimit të njëvjetorit të nisjes së luftës në Ukrainë.

Kina ka mbajtur një qëndrim shpeshherë kontradiktor lidhur me pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Kina ka refuzuar ta kritikojë Rusinë për veprimet e saj dhe, madje, nuk ka pranuar as ta quajë pushtim. Ndërkohë, ajo insiston se duhet të ruhet sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo vendi.

SHIKONI EDHE: Pse po i rrit shqetësimet qëndrimi i Kinës për luftën e Rusisë në Ukrainë?

Tani po ngrihen dyshime të reja mbi gatishmërinë potenciale të Kinës për t’i ofruar Moskës ndihmë ushtarake në luftën që po vazhdon.

Në një intervistë që u publikua më 19 shkurt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se inteligjenca amerikane ka sugjeruar se Kina është duke e shqyrtuar mundësinë e furnizimit me armatim për Rusinë. Ai tha se një përfshirje e tillë në luftën e Rusisë do të ishte “problem serioz”.

Forcat ruse dhe kineze kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake pas nisjes së luftës në Ukrainë. Së fundi, ata kishin dërguar anije për disa stërvitje me flotën e Afrikës së Jugut.

Përgatiti: Erjonë Popova