Kroacia refuzon pjesëmarrjen në misionin e BE-së për trajnimin e forcave ukrainase

Flamuri i Kroacisë. Fotografi nga arkivi.

Ligjvënësit kroatë më 16 dhjetor refuzuan një propozim që Kroacia t’i bashkohet një misioni të BE-së në mbështetje të ushtrisë ukrainase.

Qeverisë kroate i duheshin 101 vota – në Parlamentin prej 151 ulësesh – për të arritur dy të tretat e votave për të kaluar këtë propozim.

Megjithatë, ky propozim u mbështet nga 97 deputetë dhe u kundërshtua nga 10.

Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian u pajtua në tetor për të krijuar Misionin e Ndihmës Ushtarake për mbështetjen e Ukrainës, dhe emëroi një gjeneral polak për të udhëhequr trajnimet.

Shumica e trajnimeve është thënë se do të kryhen në Poloni.

SHIKONI EDHE: Franca do të trajnojë rreth 2.000 ushtarë ukrainas

Njëzet e dy nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë mision.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, që është komandant suprem i forcave të armatosura kroate, e ka kundërshtuar këtë propozim, që do të kërkonte që trupat ukrainase të trajnoheshin në Kroaci.

Millanoviq tha se Kroacia nuk duhet të përfshihet në luftë dhe se propozimi do të shkelte Kushtetutën kroate, sepse në propozim nuk qartësohej baza për shpalljen e Ukrainës si shtet aleat, duke qenë se Kievi nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo NATO-s.

Deputetët e opozitës në Kroaci kanë deklaruar se nuk dëshironin të bëheshin peng i mosmarrëveshjeve politike midis krerëve të lartë të shtetit. Ata po ashtu argumentuan se Kushtetuta nuk parashikon që Parlamenti të marrë vendime për çështjet që zakonisht miratohen nga presidenti, në marrëveshje me Qeverinë.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka hedhur poshtë kritikat se procedurat ligjore janë shkelur kur ekzekutivi ka dërguar në Parlament propozimin, me shpresën që të fitojë dy të tretat e votave.

“Pjesëmarrja në këtë mision ushtarak është thjesht një vendim konsistent, parimor dhe racional i Kroacisë, në interesin e saj kombëtar”, tha Pllenkoviq, duke e quajtur atë një zgjedhje midis Ukrainës dhe regjimit të presidentit rus, Vladimir Putin.