Ngritja e çmimeve lë gjysmë të zbrazëta hotelet në fundvit

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe atyre të energjisë, si dhe inflacioni prej rreth 20 për qind, kanë bërë që kapacitetet hoteliere të mos plotësohen gjatë festave të fundvitit në Maqedoninë e Veriut.

Shoqata e Hotelierëve thotë se sektori i hotelerisë dhe gastronomisë mbetet sektori më i goditur, pasi nuk arrin të rimarrë veten pas goditjes nga pandemia COVID-19 për dy vjet dhe së fundmi krizës së shkaktuar nga rritja e çmimeve.

Qytetarët: Dreka në lokale për festa është luks

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut thonë se edhe në rastet speciale tashmë nuk mund t’i lejojnë vetes qoftë një drekë familjare në restorant, andaj festat familjare mbeten për t’u festuar në shtëpi.

“Çmimet janë rritur në nivel ekstrem. Vetë kriza dhe shtrenjtimi që ndodhën vitin e fundit duke rritur dyfish koston e faturave për një drekë, e bënë të veten dhe tani shumë rrallë mund t’i lejojmë vetes të ulemi me miq në ndonjë lokal, e për drekë as që bëhet fjalë. Megjithëse edhe unë edhe bashkëshorti punojmë dhe kemi pagë mesatare, ato nuk mjaftojnë as për gjërat elementare për familjen tonë”, thotë Tatjana Andonoska, e cila punon si administratore në një nga institucionet e shtetit.

Demir Iljazi thotë se nga pensioni i tij ka arritur të ndajë aq sa për të blerë nga një dhuratë për nipërit. Ai, me të qeshur, na thotë se për të festuar me bashkëshorten në lokal duhet të marrë kredi.

“Jo me një pension s’mund të shkojmë askund. Më herët me miq shkonim në Mavrovë ose në Dibër një ose dy net. Tash s’ka shans me këto pensione që marrim”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Në lokalet e gastronomisë, as për byrek

Kryetari i Asociacionit të Hotelierëve në Maqedoninë e Veriut, Kërste Bllazhevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe ato pak hotele që vendosën të bëjnë organizime kanë mbetur të paplotësuara.

“Në rajonin e Ohrit dhe Strugës nuk arrije të gjesh qoftë edhe një dhomë të lirë para pandemisë, ndërsa tani mbeten të paplotësuara rreth tridhjetë për qind të kapaciteteve hoteliere, pa llogaritur numrin e madh të hoteleve, të cilat fare nuk janë hapur pasi nuk kanë leverdi që të angazhojnë staf për vetëm disa ditë gjatë festave të fundvitit”, thotë Bllazhevski.

Ai shton se kriza duket se ka mbërthyer të gjitha vendet fqinje pasi këtë vit është shumë i vogël edhe numri i turistëve nga vendet e rajonit, të cilët tradicionalisht për dy ose tri net i kalonin festat e fundvitit me miq veçanërisht në hotelet në bregun e Liqenit të Ohrit.

“Me të ardhurat që kanë qytetarët edhe në vendet e rajonit, nuk mund t’i lejojnë vetes disa ditë pushim me miq, ashtu siç organizoheshin në mënyrë tradicionale me vite. Duket se kriza ka prekur çdo xhep, qofshin ata qytetarë të Maqedonisë së Veriut apo vendeve fqinje. Kapacitetet e atyre hoteleve që vendosën të organizojnë ahengje për fundvit mbeten të paplotësuara tërësisht dhe kjo do të ketë ndikim në faturën dalëse të këtyre objekteve hoteliere”, thekson Bllazhevski.

SHIKONI EDHE: Dy paga minimale të pamjaftueshme për shportën e qytetarit

Më pak të ftuar në ahengje familjare gjatë festave të fund vitit

Kthimi i mërgimtarëve për disa ditë në vendlindje gjatë festave të fundvitit është shfrytëzuar edhe për organizimin e ahengjeve familjare si dasmat. Por, restorantet që merren me organizimin e tyre, thonë se kriza ka bërë që të ulet numri i të ftuarve dhe gjithnjë e më shumë kërkohet një meny që ka kosto më të ulët.

“Mërgimtarët që vijnë gjatë sezonit të dimrit, gjejnë mënyra dhe i bëjnë festat familjare, siç janë dasmat apo ahengjet tjera, por s’do mend se hetohet një ngurtësi, faktikisht një mungesë e kapitalit për organizime më të mëdha. Është evidente ulja e numrit të të ftuarve gjatë festave familjare, ka edhe kërkesa për meny më të lira...”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mislim Zendeli, i cili menaxhon dy restorante në Tetovë.

Nga Asociacioni i Hotelerisë thonë se më shumë se gjysma e objekteve afariste në rajonin e Ohrit menjëherë pas festave të fundvitit do të mbyllen deri në sezonin e verës, pasi nuk arrijnë t’i përballojnë faturat e larta të energjisë elektrike.

Nga ky sektor kërkojnë që Qeveria të mos bëjë ndarje për sa i përket ndihmës, përkatësishtsubvencionimit të energjisë elektrike vetëm për kompanitë e vogla, pasi, siç theksojnë, objektet me kapacitete të mëdha hoteliere kanë dhe numër më të madh të të punësuarve dhe sigurojnë ekzistencën e më shumë familjeve.