Dy agjenci të Kombeve të Bashkuara kërkuan qasje te azilkërkuesit e bllokuar në kufirin e Bjellorusisë me Poloninë dhe Lituaninë, pasi katër migrantë në atë zonë u gjetën të vdekur.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin dhe Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë u bënë thirrje qeverive të përfshira që të respektojnë të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar derisa përpiqen t’i ndalojnë kalimet e paligjshme nga Bjellorusia në Bashkimin Evropian.
Përmes një deklarate të përbashkët, agjencitë e OKB-së kërkuan hetimin e katër vdekjeve.
Ato po ashtu kërkuan “qasje të menjëhershme” te refugjatët dhe migrantët tjerë, “në mënyrë që të sigurojnë ndihmë mjekësore, ushqim, ujë dhe strehim”.
Qeveritë e Polonisë dhe Lituanisë vendosën gjendje të jashtëzakonshme, për të ndaluar hyrjen në zona të caktuara kufitare për këdo, përveç rojeve kufitare dhe shërbimeve të sigurisë.
Ato gjithashtu janë duke ndërtuar gardhe me tela në kufijtë me Bjellorusinë.
Autoritetet polake thanë se tre persona që u gjetën të vdekur të dielën pranë kufirit me Bjellorusinë, vdiqën nga hipotermia dhe lodhja.
Rojet kufitare polake gjithashtu panë trupin e një gruaje pranë kufirit, në anën e Bjellorusisë.
Agjencitë e Kombeve të Bashkuara - të dyja me qendër në Gjenevë - thanë se kombësitë e njerëzve që vdiqën nuk janë konfirmuar.
Polonia dhe Lituania - të dyja vende të Bashkimit Evropian - kanë parë rritje të hyrjeve ilegale nga Bjellorusia, muajve të fundit.
Sipas zyrtarëve të tyre, këto kalime të paligjshme ndërmjetësohen nga regjimi i presidentit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashanka, për shkak të sanksioneve që i ka vënë BE-ja.
BE-ja ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër autoriteteve bjelloruse, për shkak të shtypjes brutale të një lëvizjeje pro-demokratike.
SHIKONI EDHE: Polonia dhe Letonia përballen me fluks migrantësh nga Bjellorusia