Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, është pajtuar për ristrukturimin e kabinetit qeveritar, por vetëm nën disa kushte dhe njëri prej tyre është që ai të zgjedhë ministrat.
Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e tij më 21 shtator.
Riorganizimin e qeverisë e kanë kërkuar dy subjektet politike në pushtet, partia pro-serbe Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, ndërsa subjekti i tretë dhe më i vogël, Lëvizja Qytetare URA e ka kundërshtuar idenë.
Fronti Demokratik dhe Demokratët më 16 shtator kanë njoftuar se kanë rënë dakord mbi domosdoshmërinë e ristrukturimit të Qeverisë së Malit të Zi.
Sipas tyre kabineti qeveritar duhet të ketë 18 ministri dhe jo 12 sa ka tash si dhe tre zëvëndëskryeministra të cilët gjithashtu mund të jenë edhe udhëheq të resoreve ministrore.
Zyra e kryeministrit Krivokapiq tha se ndryshimet në qeveri do të bazohen në një sërë parimesh.
"Zëvendëskryeministri aktual, Dritan Abazoviq do të jetë zëvendëskryeministri i parë, dhe të gjithë zëvëndëskryeministrat tjerë do të jenë gjithashtu ministra të linjës. Emërimi i zëvendëskryeministrit është një e drejtë e kryeministrit ”, ka thënë Krivokapiq.
SHIKONI EDHE: Kryeministri malazez midis presionit të brendshëm dhe pritjeve të Perëndimit"Kandidatët për ministra të rinj propozohen nga kryeministri pas konsultimeve me shumicën parlamentare, veçanërisht duke marrë parasysh marrëveshjen e vitit të kaluar të tre listave zgjedhore, kompetencën dhe barazinë gjinore ", u tha në deklaratë.
Përveç ndryshimeve në kabinetin qeveritar, kryeministri Krivokapiq, ka thënë se subjektet politike që përbëjnë qeverinë e Malit të Zi vendosin një moratorium në të gjitha çështjet, për të cilat nuk ka një konsensus të gjerë shoqëror dhe që shkaktojnë ndasi të thella në shoqërinë malazeze.
"Sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë detyrat kryesore", ka thën kryeministri.
Në dhjetor të vitit të kaluar parlamenti malazez e votoi Qeverinë e re. Pas tre dekadash Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit, Millo Gjukanoviq doli në opozitë.
Rikonstruktimi i paralajmëruar i Qeverisë së Malit të Zi, i cili provokoi konflikt ndërmjet partive të shumicës në pushtet, është kritikuar nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila pret që Qeveria aktuale të mbajë Malin e Zi në kursin euroatlantik.
Një ditë pasi një pjesë e shumicës parlamentare, Fronti Demokratik (DF) dhe Mali i Zi Demokratik, propozuan një riorganizim të Qeverisë, ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, ka thënë se ajo pret që kryeministri, Zdravko Krivokapiq, kryetari i parlamentit Alleksa Beçiq dhe zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq të mbajnë premtimet që i kanë dhënë në shtator të vitit të kaluar - për të mbajtur Malin e Zi në kursin euro-atlantik dhe t’i ruajnë elementet kryesore të politikës së jashtme malazeze, si dhe të merren me reformat si një çështje prioritare, në mënyrë që të përshpejtojnë rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
SHIKONI EDHE: Abazoviq thotë se mund ta përmbysë Qeverinë e Malit të ZiMë herët Lëvizja qytetare, URA u bëri thirrje Demokratëve dhe Frontit Demokratik që të njoftojnë nëse propozimi për rikonstruktim nënkupton tërheqjen e nënshkrimeve nga Marrëveshja e shtatorit të vitit 2020. Kjo marrëveshje ishte baza për formimin e të ashtuquajturës Qeveri të ekspertëve dhe në të cilën u përcaktuan parimet, sipas të cilave kursi i politikës së jashtme të vendit, anëtarësimi në NATO, njohja e Kosovës nuk do të vihen në dyshim.
URA u tha partnerëve të saj qeveritarë se në rast se do të mund të gjenin shumicën parlamentare që do të mbështeste riorganizimin e Qeverisë, ata “mund të caktonin menjëherë një seancë parlamentare”.
Nga 81 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, tre koalicionet e drejtuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja qytetare URA kanë një shumicë minimale prej 41 vendesh në parlament në krahasim me opozitën aktuale të udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve.
URA ka katër deputetë.