Buxheti 2018, kritika për projektimet për pagat dhe akcizën

Ilustrim

Propozim-buxheti për vitin 2018 i prezantuar nga Ministri i Financave të Maqedonisë, Dragan Tevdovski, ka nxitur reagime të shumta jo për shkak të shumës së tij apo projektimeve tjera, por për shkak të dy masave që kanë të bëjnë me rritjen e rrogave për pesë për qind dhe rritjen e akcizës për naftën për tre denarë.

Rritje të pagave do të ketë për punonjësit e shëndetësisë, arsimit dhe të atyre në çerdhe, por ata këtë rritje e vlerësojnë jo vetëm si qesharake, por edhe nënçmim për punën që bëjnë. Me projekt-buxhetin rritja është paraparë madje të nisë të aplikohen nga tetori i vitit 2018, që sipas punonjësve e humb edhe më shumë vlerën, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të konsumit të përditshëm.

Enver Ajdini, mësimdhënës dhe anëtar i plenumit të arsimtarëve thotë për Radion Evropa e Lirë se arsimtarët prisnin që të parashtrojnë edhe kërkesa tjera për ngritjen e kushteve dhe cilësisë në arsim, por kjo rritje minimale e të ardhurave të tyre i ka dekurajuar në synimet e tyre.

Rritja prej pesë për qind për mësimdhënësit sipas meje është vetëm se nënçmim i radhës për shkak se kemi të bëjmë me një rritje që hyn në fuqi pas një viti. Nëse marrim parasysh fuqinë blerëse që e kemi ne mësimdhënësit, dhe nëse e krahasojmë me rritjen e çmimeve të artikujve të ndryshëm dhe shërbimeve, besoj se pas një viti këtë rritje nuk do ta gëzojmë. Propozomi i Qeverisë na demotivon, pasi me këtë po shihet se mësimdhënësit vazhdojnë të jenë të nënçmuar dhe të degraduar”, thotë Ajdini.

Edhe mjekët reagojnë ndaj rritjes prej vetëm se pesë për qind duke theksuar se kjo masë nuk do të ndikojë në mbajtjen e kuadrit mjekësor në vend. Nga shoqata e mjekëve që po specializojnë në Klinikën Universitare të Shkupit thonë se Qeveria me këtë po tregon se nuk gatishmëri për të zgjidhur statusin e tyre.

Kemi pritur shumë më tepër se kjo. Jemi të befasuar pasi kishim bisedime krejt tjera me drejtuesit e institucioneve të tanishme, si para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve, e kështu me radhë. Ne jemi rreth 600 apo 700 persona që po specializojmë dhe shumë prej tyre nuk marrin paga, madje nuk u paguhen as kujdestaritë. Kjo është e papranueshme, është demotivuese dhe me një politikë të tillë vështirë se dikush do të vendos të vazhdojë ushtrojë profesionin në vendin tonë”, thotë Nenad Lazarov, shoqata e mjekëve specialistë.

Reagime ka pasur edhe sa i përket rritjes së akcizës, që gjithashtu si masë është kundërshtuar në veçanti arsyetimi i Ministrisë së Financave, se kjo bëhet me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit nga karburantet e naftës. Ekspertët kanë thënë se kjo masë do të ketë pasoja jo vetëm në transportin individual, por edhe në rritjen e çmimit tek kompanitë transportuese dhe të tjera që si lëndë të parë përdorin naftën.

Nga Qeveria thonë se të gjitha projektimet e bëra në buxhet kanë bazë të shëndoshë dhe se kanë për qëllim konsolidimin fiskal dhe me rritjen e akcizës, veç tjerash, do të rriten edhe të ardhurat buxhet. Ministri i Financave, Dragan Tevdovski thotë se e është i vetëdijshëm se pagat duhet të rritet më shumë, por se për momentin mundësitë nuk lejojnë që ato të jenë më të larta se pesë për qind.

Ne duhet të vendosim se a duam të vazhdojmë aty ku ishin në dhjetë vitet e fundit, pra që të mos bëhet asnjë përpjekje për konsolidimin fiskal dhe të ekonomisë në përgjithësi, apo të plotësojmë dëshirat e grupeve të caktuara dhe me këtë të mos ketë të ardhura, por vetëm se rritje të borxhit”, thotë Tevdovski.

Ndryshe, shpenzimet e parapara me buxhetin për vitin e ardhshëm arrijnë në 2 miliardë e 82 milionë euro, ndërsa të hyrat janë projektuar në 1 miliard e 829 milionë euro. Deficiti buxhetor sillet në rreth 253 milionë euro. Rritja ekonomike për vitin 2018, sipas parashikimit të Qeverisë pritet të arrijë në 3.2 për qind.