Policia e Kosovës ka arrestuar më 19 tetor një burrë me incialet E.B., të komunitetit boshnjak, nën dyshimet se ai është përfshirë në veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” në periudhën 1998/99 në një fshat në Komunën e Istogut.
Autorizimin për arrestim e ka dhënë Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në një komunikatë për media është thënë se Njësia për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka zhvilluar “hetime intensive lidhur me krimet e kryera nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë periudhës kohore të viteve 1998/99 në Kosovë”.
Sipas Policisë, prokurori i çështjes ka lëshuar aktvendim për arrestim të përkohshëm dhe ndalim policor të të dyshuarit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
SHIKONI EDHE: Të mbijetosh në kohë lufteNë luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.