Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte në Kosovë

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar një të dyshuar për krime lufte në Kosovë, bëri të ditur Prokuroria Speciale më 29 shtator.

I arrestuari, sipas Prokurorisë, është M.P, i nacionalitetit serb, shtetas i Kosovës dhe i Serbisë. Ai dyshohet për veprën penale “krim i luftës kundër popullatës civile”.

“Prokuroria Speciale njofton se ndaj të njëjtit është dorëzuar kallëzim penal me dyshimin se në shtator të vitit 1998, në Lagjen ‘Hoqa Mahall’ në Prizren, ka marr pjesë në vrasjen e tre personave civilë të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, u tha në njoftim.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998-99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.