Kremlini mohon se po bisedon me Kievin për t'i ndalur sulmet kundër energjisë

Punëtorët duke riparuar një linjë energjetike të shkatërruar nga sulmet ruse në Kiev. Fotografi nga arkivi.

Kremlini i ka mohuar raportimet e mediave perëndimore se Moska dhe Kievi po zhvillojnë negociata sekrete për t'i zvogëluar sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë të njëri-tjetrit, teksa sulmet ruse në Ukrainë më 30 tetor shkaktuan viktima.

Më 29 tetor, Financial Times, duke cituar burime të larta ukrainase, tha se Kievi dëshiron që t'i rinisë bisedimet e ndërmjetësuara nga Katari për këtë çështje, bisedime që u ndërprenë në gusht, pasi Ukraina nisi një ofensivë në rajonin rus, Kursk.

Ukraina nuk e ka komentuar këtë raportim, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 30 tetor e hodhi poshtë raportimin duke e cilësuar “të rremë”, dhe duke thënë se po qarkullojnë thashetheme “që nuk përkojnë me realitetin".

“Edhe mediat më të respektuara nuk hezitojnë të publikojnë këso lloj fabrikimesh”, shtoi ai.

Që nga vjeshta e vitit 2022, Rusia në mënyrë sistematike e ka sulmuar infrastrukturën e energjisë të Ukrainë, duke shkaktuar dëme të mëdha, mungesë të energjisë elektrike dhe në përgjithësi ua ka vështirësuar jetën civilëve ukrainas, veçmas gjatë sezonit të dimrit.

Gjatë muajve të fundit, Ukraina po ashtu ka nisur të godasë qendrat e energjisë të Rusisë përmes sulmeve me dronë, kryesisht duke shënjestruar rafineritë e naftës dhe depot e karburanteve që furnizojnë ushtrinë ruse në pushtimin e tyre të Ukrainës.

Muajin e kaluar, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmet ruse kanë shkatërruar mbi gjysmën e infrastrukturës së energjisë së Ukrainës, duke shtuar se blloku po punon që ta ndihmojë Kievin që t'i riparojë dëmet.

Ndërkaq, Rusia ka vazhduar të shënjestrojë civilët në Ukrainë, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur 15 të tjerë në Herson. Në Kiev, nëntë persona u plagosën gjatë një sulmi me dronë në orët e para të 30 tetorit.