Kremlini: Incidentet në Detin Baltik duken si "terrorizëm" i sponsoruar shtetëror

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini ka thënë të enjten se incidentet në dy gazsjellës nënujor, që bartin gazin natyror nga Rusia drejt Gjermanisë, duket se përbëjnë “terrorizëm të sponsoruar nga shteti”.

Bashkimi Evropian është duke hetuar rrjedhjet masive nga tubacionet, Rrjedha Veriore 1 dhe Rrjedha Veriore 2, duke thënë se dyshon në sabotazh.

“Duket si akte terroriste, me mundësi të përfshirjes shtetërore”, u ka thënë gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Është e vështirë të imagjinohet që mund të ndodhë një akt i tillë terrorizmi pa përfshirjen e nivelit shtetëror”, ka thënë Peskov.

“Kjo është situatë e rrezikshme që kërkon hetime urgjente”.

SHIKONI EDHE: Zbulohet rrjedhja e katërt e gazit nga tubacionet në Detin Baltik

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, duke cituar tri burime, ka raportuar se zyrtarë evropianë të sigurisë kanë parë disa anije dhe nëndetëse ruse jo larg zonës së rrjedhjeve në Detin Baltik.

I pyetur për të komentuar raportimin e këtij rrjeti, Peskov ka thënë se në atë zonë ka prezencë edhe më të madhe të NATO-s.

Sizmologët nga Suedia dhe Danimarka kanë thënë se kanë regjistruar shpërthime të fuqishme në këto zonat e rrjedhjeve.

Këto njoftime kanë shtyrë policinë në Suedi që të nisë hetime për mundësinë e sabotazhit.

Ky incident ka nxitur rritjen e çmimeve të gazit natyror në Evropë.