Kremlini ka thënë se shpërthimi i ri i koronavirusit në Rusi, është rezultat i “nihilizmit në rritje” në mesin e rusëve.
Ndërkohë, kryetari i Moskës Sergei Sobyanin, ka njoftuar se masat kufizuese, të vendosura këtë javë, do të zbatohen deri më 29 qershor.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, ka thënë se fushata e vaksinimit në Rusi, shihet qartë se nuk ka qenë efektive siç është pritur.
Ai ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin është duke analizuar nga afër situatën.
SHIKONI EDHE: COVID-19 merr hov në RusiSobyanin ka bërë të ditur më herët se do të mbyllë zonën e tifozëve për Kampionatin Evropian të Futbollit Euro 2020, dhe do të ndalojë organizimet me mbi 1,000 persona.
“Nuk kam dashur të bëj diçka të tillë, por duhet”, ka thënë Sobyanin.
“Do të na duhet të ndalojmë përkohësisht organizimet e mëdha të argëtimit, dhe duhet të mbyllim qendrat për vallëzim si dhe ato për tifozë”, ka shkruar ai në faqen e tij zyrtare.
Ndërkohë, Peskov u ka thënë gazetarëve se “nihilizmi në rritje, shkalla e vaksinimit dhe vetë infektimi”, janë shkaktarë të rritjes së numrit të të infektuarve në Moskë.
Kryetari i Moskës, ka thënë këtë javë se kryeqyteti rus është duke u përballur me një variant të ri, më agresiv dhe më infektues të koronavirusit.
Ai ka marrë vendim për vaksinim të detyrueshëm për një numër punëtorësh publikë dhe e ka shpallur këtë javë pushim.
SHIKONI EDHE: Moska e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët publikëBizneset do të rihapen më 21 qershor.
Deri në fillim të muajit qershor, vetëm 12 për qind e popullsisë prej 146 milionë banorësh, ka marrë të paktën një dozë të vaksinës në Rusi.
Autoritetet ruse kanë regjistruar gati 5.3 milionë raste të konfirmuara me koronavirus dhe rreth 128,000 viktima, ndonëse shifrat reale besohet se janë shumë më të larta.