Kremlini thotë se nuk ka informacione për arrestimin e shefit të Telegramit

Themeluesi i Telegramit, Pavel Durov. Fotografi nga arkivi.

Kremlini tha më 26 gusht se nuk ka pranuar asnjë informacion nga Franca pse e ka arrestuar Pavel Durov, miliarderin e lindur në Rusi, i cili është themelues i aplikacionit të mesazheve, Telegram.

“Ne nuk e dimë se për çfarë konkretisht akuzohet Durovi. Nuk kemi dëgjuar asnjë deklarim zyrtar për këtë temë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Para se të themi diçka, na duhet të presim që situata të qartësohet... Pa qartësim, do të ishte e papërshtatshme që të komentonim”, shtoi ai.

Durov, që ka shtetësi franceze dhe ruse dhe është një prej ikonave më me ndikim në botë nga fusha e teknologjisë, u arrestua të shtunën, pasi po fluturonte për në një aeroport në periferi të Parisit.

SHIKONI EDHE: Shefi i Telegramit, Pavel Durov arrestohet në Francë

Durov, 39-vjeçar, po fluturonte nga Azerbajxhani, shtet që presidenti rus, Vladimir Putin, po ashtu e vizitoi javën e kaluar.

I pyetur për këtë çështje, Peskov tha se Durovi dhe Putini nuk u takuan në Azerbajxhan.

Sipas një burimi të agjencisë AFP, OFMIN, një trup në Francë që merret me parandalimin e dhunës ndaj të miturve, kishte lëshuar një fletarrestim ndaj Durovit.

Durovi akuzohet se ka dështuar që të ndërmarrë veprime për të ulur përdorimin nga kriminelët të platformës së tij.

Telegrami ka thënë se respekton ligjet e Bashkimit Evropian.

Telegram, platformë me bazë në Dubai, që ka mbi 900 milionë përdorues në gjithë botën, u themelua nga Durov më 2013.