Qeveria konfirmon mbylljen e pesë institucioneve paralele serbe në veri

Your browser doesn’t support HTML5

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë institucione paralele serbe në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se institucionet paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e "cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Qytetarët pa asnjë dallim, kanë adresë të saktë ku mund t’i marrin shërbimet komunale dhe strukturat paralele e kanë të qartë se nuk mund të operojnë jashtë kornizës ligjore të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ministri Krasniqi tregoi se institucionet e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e kritikoi këtë vendim dhe tha se është e “shqetësuar dhe zhgënjyer” me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës të cilat pasqyrojnë rritjen e përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, dhe ai francez Olivier Guerot, e kritikuan vendimin duke e cilësuar si të "pakoordinuar dhe të njëanshëm".

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se njësitet speciale kryen një aksion në katër komunat me shumicë serbe në veri. Aksioni u krye në dy lokacione në Mitrovicën e Veriut, si dhe në një lokacion në Zubin Potok dhe në një tjetër në Leposaviq.

Policia zhvilloi një aksion edhe në spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se mund të ketë armatim, sipas tij.

Beogradi e dënon aksionin e autoriteteve kosovare

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka kërkuar "reagim urgjent" dhe "më të ashpër" nga bashkësia ndërkombëtare.

Vuçeviq tha se Serbia ka dërguar një mesazh të qartë se "avokon fuqishëm për paqen dhe stabilitetin" në rajon, por se “nuk do të lejojë dhunë dhe masakër kundër popullit të saj”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Serbisë.

Më vonë të premten, Lista Serb - partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - mbajti konferencë për media në veri.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se "sot u pa qartë se Kurti nuk i do serbët në Kosovë. Kjo është një përpjekje tjetër për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova, e para së gjithash nga veriu".

"Me këtë veprim sot, Kurti tregoi se nuk i do institucionet e Republikës së Serbisë, nuk e do Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe as serbët në Kosovë, e sidomos në veri", shtoi ai.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se mbyllja e institucioneve serbe në veri të Kosovës do të ketë “pasoja të gjera në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Albin Kurti ka filluar t'i mbyllë të gjitha institucionet serbe në veri të krahinës, të cilat nuk janë institucione paralele, por institucione që duhet të jenë bazë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq.

Ai shtoi se institucionet e mbyllura u kanë ofruar serbëve në Kosovë “një minimum shërbimesh publike dhe ekzistenciale si, beneficione sociale përmes pagave dhe pensioneve”.

Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

"Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues", tha Policia.

Po këtë vit, më herët, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

Aksioni i së premtes në veri u ndërmor në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj "të njëanshme dhe pakoordinuara", pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.

Your browser doesn’t support HTML5

Lajçak thotë se veprimet e njëanshme rrezikojnë ta destabilizojnë Ballkanin

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha të premten në një intervsitë për Radion Evropa e Lirë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me "lëvizjet e njëanshme të Kosovës".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës - pa dallime.

LEXONI edhe KËTO:

Macron: Jemi të shqetësuar nga lëvizjet e njëanshme të KosovësKurti: Po vendosim sundim të ligjit dhe rend publik

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Serbët lokalë – megjithëse morën pjesë në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, pas thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

SHIKONI EDHE: Bojkoti, “reflektim i mosbesimit ndaj Prishtinës dhe Listës Serbe”

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.