Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Arianit Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë, se ky institucion ka vendosur që të mos ketë rekomandim për shtyrje të zgjedhjeve në veri.
“Nuk është mandat i yni që të rekomandojmë shtyrjen e zgjedhjeve”, tha ai.
KQZ-ja, sipas tij, do t’i dërgojë sonte një raport presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me zgjedhjet që janë caktuar të mbahen më 18 dhjetor.
“Është një raport vetëm informues për procesin zgjedhor, deri më tani, për aktivitetet që janë zhvilluar dhe për ato që janë paraparë të zhvillohen”, tha Elshani.
SHIKONI EDHE: Presidenca në pritje të raportit të KQZ-së për zgjedhjet në veriNga Presidenca e Kosovës, thanë më herët gjatë 9 dhjetorit se janë në pritje të këtij raporti të KQZ-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të marrë vlerësime të sigurisë nga organet kompetente dhe bazuar në to, do të zhvillojë konsulta me partitë politike për të vendosur nëse duhet të shtyhen apo jo zgjedhjet në veri.
Debati për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve u nxit pas disa incidenteve në veri të Kosovës, që kishin për cak edhe zyrat e komisioneve komunale zgjedhore, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
SHIKONI EDHE: Chollet: Besojmë se bisedimet do të çojnë në njohje reciproke mes Kosovës e SerbisëAutoritetet i kanë cilësuar këto incidente si “sulme terroriste”, teksa është rritur prania policore në këtë pjesë të Kosovë.
Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të incidenteve në veri.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve, nga radhët e Listës Serbe.
Dorëheqjet e zyrtarëve të kësaj partie erdhën në fillim të nëntorit si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale, të lëshuara nga Serbia.