Toka e djegur: Kostoja katastrofike mjedisore e luftës në Ukrainë

Your browser doesn’t support HTML5

Përveç mijëra vdekjeve dhe shkatërrimit të infrastrukturës, një krizë tjetër - më e padukshme - që lidhet me pushtimin rus dhe që mund ta ndjekë Ukrainën me vite, është dëmtimi mjedisor.

Nga impiantet e granatuara kimike deri te pyjet e djegura nga raketat, pasojat do t’i ndiejnë jo vetëm ekosistemet e Ukrainës, por edhe njerëzit e saj.

Lista e dëmeve që ka shkaktuar lufta e Rusisë në Ukrainë është e gjatë dhe, nëse nuk u kushtohet vëmendja e duhur, ato mund të zgjasin me vite.

Vëzhguesi i Konfliktit dhe Mjedisit ka raportuar se ndikimi në mjedis i luftës ka nisur edhe para fillimit të konfliktit.

Grumbullimi i forcave ushtarake dhe mbajtja e tyre në gjendje gatishmërie mund të konsumojnë shumë burime.

Pajisjet dhe automjetet ushtarake kërkojnë energji, që zakonisht sigurohet nga nafta, dhe emetimet e CO2-shit nga ushtritë e mëdha janë më masive se të shumë vendeve në botë së bashku.

Një studim nga Universiteti Brown ka treguar se emetimet e gazrave serrë nga ushtria amerikane, janë më të mëdha se ato të Portugalisë, Danimarkës dhe Suedisë së bashku.

Pas fillimit të një konflikti, rreziqet rriten dhe dëmi bëhet shumë më i dukshëm.

Sfondi mjedisor i Ukrainës

Ekosistemet e Ukrainës kanë një rëndësi të konsiderueshme për Evropën:

  • Ato përfshijnë 35 për qind të biodiversitetit të Evropës.
  • Janë shtëpia e mbi 70,000 specieve.
  • Njëzet e nëntë për qind e territorit të Ukrainës përbëhet nga bimë natyrore, si dhe nga bimë gjysmënatyrore.
  • Gjashtëmbëdhjetë për qind e territorit të saj përbëhet nga pyjet.
  • Ukraina ka rreth 63.000 lumenj.
  • Ukraina zë 11 për qind të vargmalit të Karpateve, ku ndodhen një e treta e të gjitha specieve bimore në Evropë.

Lumi Severski Donjec është më i gjati në Ukrainën lindore dhe një burim i rëndësishëm i ujit të freskët. Dniepri është lumi i katërt më i gjatë në Evropë.

Më 14 mars, pasi ushtria ruse ka bombarduar një objekt të trajtimit të ujërave të zeza, uji nga disa rrethe të rajonit Zaporizhja ka filluar të derdhet në Lumin Dniepër.

Libri i të Dhënave të Kuqe i Ukrainës - një dokument që gjurmon gjendjen aktuale të faunës dhe florës së rrallë dhe të kërcënuar - ka regjistruar 687 lloje kafshësh të rrezikuara dhe 857 lloje bimësh të rrezikuara në publikimin e tij të fundit, më 2021.

Përveç zvogëlimit të botës së egër, për shkak të zjarreve të shkaktuara nga hedhja e raketave, mijëra delfinë janë gjetur të ngordhur në Detin e Zi, tregojnë të dhënat e Parkut Natyror Kombëtar të Grykëderdhjeve Tuzla, në Ukrainë. Kjo mund të jetë pasojë e rritjes së zhurmës së transportit detar dhe përdorimit të sistemeve të fuqishme sonare nga marina.

Sektori industrial i Ukrainës

Rreziqet mjedisore, me të cilat përballet Ukraina si rezultat i konfliktit të armatosur, rriten edhe nga sfondi industrial i vendit.Industria e rëndë është pjesë e madhe e ekonomisë së Ukrainës, sidomos në lindje të vendit.

Termocentrali më i madh bërthamor në Evropë ndodhet në Ukrainë, në qytetin Zaporizhja, dhe sektori industrial i Ukrainës përbën gati 29 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Një ndër rreziqet më të mëdha kërcënon objektet e magazinimit të mbetjeve të lëngshme industriale (TSF).

Në gjithë Ukrainën ndodhen 465 objekte TSF, që depozitojnë mbi 6 miliardë tonë mbeturina. Dyqind prej këtyre objekteve TSF ndodhen në Ukrainën lindore - rajonin e goditur më së rëndi nga lufta.

Një studim i vitit 2019 nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka treguar se kërcënimet e mundshme që vijnë nga dëmtimi i këtyre objekteve, përfshijnë: përmbytje, shpërthime dhe rreziqe kimike, mjedisore dhe nga zjarri.

Tani, tre vjet pas publikimit të këtij raporti, më shumë se 40 vende industriale janë sulmuar nga ushtria ruse.

Një imazh satelitor tregon djegien e rezervuarëve të magazinimit të naftës në Çernihiv, më 21 mars.

Ekipet e emergjencës në një objekt të ruajtjes së karburanteve, i cili është goditur nga raketat në Lviv, më 27 mars.

Sipas një vlerësimi të luftës nga organizata holandeze e paqes PAX, Ukraina ka qenë në prag të një katastrofe mjedisore qe nga fillimi i luftës në rajonin e Donbasit, në vitin 2014. Ajo është shmangur nga krijimi i linjave të de-përshkallëzimit, që kanë parandaluar bombardimet e impianteve kimike, si dhe nga monitorimi i vazhdueshëm nga OSBE-ja.

Megjithatë, qe nga ajo kohë, shumë instalime industriale që ruajnë sasi të mëdha mbetjesh toksike dhe radioaktive, janë në gjendje të keqe, për shkak të efekteve të sulmeve të mëparshme dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Në fillim të qershorit, granatimet në një fabrikë kimike kanë goditur rezervuarët e acidit nitrik, duke bërë që një re e madhe tymi rozë t’i mbulojë zonat e banuara në Severodonjeck.

Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Hayday, u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, pasi acidi nitrik mund të jetë i rrezikshëm nëse thithet ose gëlltitet, ose nëse bie në kontakt me lëkurën.

Një re toksike tymi mbi Rubizhne, në rajonin Luhansk, më 5 prill.

Ligjet dhe pengesat

Katër traktatet e Konventave të Gjenevës, që supozohet se rregullojnë sjelljen gjatë konfliktit të armatosur, nuk e përmendin shprehimisht mjedisin. Megjithatë, pas Luftës së Vietnamit, në ligj janë bërë dy ndryshime të rëndësishme.

I pari ndalon përdorimin e dhunshëm të teknikave të modifikimit të mjedisit, që kanë “efekte të përhapura, afatgjata ose të rënda”. I dyti bllokon “metodat ose mjetet e luftës, që synojnë, ose mund të pritet të shkaktojnë dëme të përhapura, afatgjata dhe të rënda në mjedisin natyror”.

Deri në maj të këtij viti, Ministria e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore e Ukrainës ka regjistruar 231 krime mjedisore, që dyshohet se janë kryer nga Rusia.

Problemi është se, edhe kur veprimet në luftë janë të dëmshme për mjedisin, është e vështirë që ato të konsiderohen shkelje e dispozitave. Kjo, pasi standardet që veprimet ushtarake të mbulohen nga dy konventat e reja, janë shumë të larta.

Dëmet shëndetësore

Pasojat e vazhdueshme te popullata përfshijnë sëmundje të mushkërive dhe lloje të ndryshme të kancerit, për shkak të thithjes së metaleve të rënda dhe të kancerogjenëve, që janë të pranishëm në eksplozivë, si dhe në rrënojat e ndërtesave të granatuara.

Asbesti - një substancë shumë toksike që është ndaluar në Ukrainë vetëm së voni - është shqetësimi kryesor, kur bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve.

Asbesti, që është ende i pranishëm në strukturën e ndërtesave që po rrënohen nga bombardimet, mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh, duke filluar nga vështirësitë në frymëmarrje deri te kanceret e mushkërive, stomakut, vezoreve dhe organeve të tjera.

Veprimet dhe pengesat e pasluftës

Ekspertët nga Ecoaction: Qendra për Iniciativa Mjedisore thonë se, pas përfundimit të luftës, përveç dokumentimit të të gjitha dëmeve mjedisore - në përpjekje për ta bërë Rusinë që të paguajë për to - është gjithashtu e rëndësishme që rehabilitimi dhe mbrojtja e ekosistemeve të përfshihen në planin e rimëkëmbjes së Ukrainës, ashtu sikurse edhe rindërtimi i vendbanimeve, duke u fokusuar në zgjidhje të bazuara në natyrë.

Burimet: Ecoaction, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, PAX për Paqe, Vëzhguesi i Konfliktit dhe Mjedisit, VOX, Ministria e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore e Ukrainës, Reuters, The Guardian, Pravda, OSBE, The Washington Post, The New York Times, Al -Jazeera, Agjencia Shtetërore e Burimeve Pyjore e Ukrainës dhe Universiteti Brown.

Përgatitën: Valona Tela, Lendi Susuri