Pensionimi i mjekëve në Kosovë, krahas dukurisë së ikjes së shtuar të mjekëve nga brezi i ri, ka bërë që të ndihet mungesa e stafit shëndetësor. Mosha mesatare e mjekëve familjarë në Kosovë ka arritur në 57 vjeç, derisa mjekëve specialistë, në rreth 53 vjeç. Këto të dhëna i ka paraqitur Federata Sindikale e Shëndetësisë.
Profesionistë të fushës së shëndetësisë, thonë se në dhjetë vjetët e ardhshme, do të ketë një krizë profesionale mjekësore, pasi që siç thonë ata, një mjekut i duhen së paku 15 vjet që të pavarësohet në punë profesionale.
Njëri nga spitalet rajonale që tashmë po vuan mungesën e mjekëve, është ai i Gjakovës. Drejtori i këtij spitali, Hilmi Shala, i tha Radios Evropa e Lirë, se si pasojë e pensionimit të mjekëve tashmë ka edhe reparte që janë mbyllur, ngase nuk janë gjetur zëvendësime. Gjithashtu edhe shumë klinika tjera brenda këtij spitali, tha ai, kanë mungesë të mjekëve.
“Kemi nevojë për profile të ndryshme, për shembull, aktualisht reparti i Oftalmologjisë është mbyllur për shkak se dy mjekë që kanë punuar aty kanë ikur në pension. Gjithashtu reparti i Otorinolaringologjisë aktualisht funksionon me një mjek, pasi një tjetër ka ikur në pension. Kemi nevojë për biokimistë, infektologë, mjekë të emergjencës etj. Gjithashtu është një kirurg që së shpejti do të dalë në pension dhe do të ndihet mungesa e tij”, tha Shala.
SHIKONI EDHE: Mungesë e stafit shëndetësor në Mjekësinë FamiljareNë anën tjetër, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, bëri të ditur se duke e parë trendin e pensionimit, por edhe duke u bazuar në moshën mesatare të mjekëve, Kosova në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshme, do ta përjetojë një krizë ‘të paparë’ profesionale.
“Mosha mesatare e mjekëve familjarë sipas Asociacionit të mjekëve, ka arritur në 57 vjeç, derisa mosha e pensionimit është 65 vjeç. Dhe nëse e shohim që kemi minus 200 mjekë, kjo na dërgon në konkludimin se shumë shpejtë do të mbesim pa mjekë familjarë”, tha ai.
“Ndërkaq te mjekët specialistë, mosha mesatare është rreth 53 vjeç, andaj në dhjetë vjetët e ardhshme do të kemi krizë”, tha Syla.
Sipas tij, aktualisht po punohet në atë drejtim që t’u mundësohet mjekëve të aftë fizikisht dhe me shëndet të mirë, që edhe pas pensionimit të mund të punojnë, sidomos aty ku rrezikohet të mbyllet ndonjë repart i caktuar.
"Jemi duke punuar më Odën e Mjekëve që të nxjerrim një udhëzim administrativ, që t’i angazhojmë mjekët që janë në pension në ato vende ku ka nevojë, por që janë në gjendje të mirë fizike dhe psikike. Pra, nuk jemi në një situatë të lakmueshme, pasi si kuadër jemi duke u plakur”, shtoi Syla.
Në anën tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, tha se si institucion nuk kanë ndonjë statistikë se sa mjekë pensionohen brenda një viti, por tha se rreth 100 mjekë të pensionuar tashmë vazhdojnë të punojnë në sektorin privat shëndetësor.
Krahas plakjes së stafit, ai e veçon edhe ikjen e mjekëve jashtë Kosovës, duke e cilësuar si shqetësuese mundësinë e mungesës së theksuar të mjekëve, në vitet e ardhshme.
“Numri i atyre që po pensionohen është i madh, nëse krahasohet me numrin e të punësuarve, pasi mosha mesatare është diku rreth 53 vjeç e forcës punuese, pra e atyre që punojnë. Por, tashmë është alarmante edhe ikja e mjekëve jashtë vendit. Pra, nuk kemi zgjidhje tjetër, pos të zëvendësohen me mjekë të rinj”, tha Sejdiu.
SHIKONI EDHE: Papunësia rrit interesimin e mjekëve për ta lëshuar KosovënNdryshe, më shumë se 600 mjekë në Kosovë janë të papunë, prej të cilëve, sipas statistikave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 60 janë mjekë specialistë. Institucionet publike shëndetësore, në anën tjetër, kanë kumtuar se kanë nevojë edhe për pesë mijë mjekë të rinj që të punësohen.
Ndërkohë në Odën e Mjekëve të Kosovës, gjatë vitit 2019, thuhet se 115 mjekë kanë kërkuar dokumente për punësim jashtë Kosovës.
Numri më i madh i tyre, bazuar në Odën e Mjekëve, kanë qenë mjekë të rinj, të cilët nuk kanë mundur të punësohen në Kosovë në profesionin e tyre, ndonëse sistemi shëndetësorë ka mungesë të vazhdueshme të mjekëve.