Për familjen 4-anëtarëshe Makovci nga Millosheva - Komuna e Obiliqit - një rritje e re e çmimeve të produkteve do të ishte vështirë e përballueshme.
“Nuk e di si do t’ia bënim... Do të blejmë gjëra më pak. Edhe ashtu janë shtrenjtë”, thotë kryefamiljarja Sherifja për Radion Evropa e Lirë.
Të ardhurat mujore në familjen e saj nuk kalojnë mbi 400 euro. I vetmi i punësuar është djali i saj, i cili punon si shofer taksie.
“Nëse para më shumë se një viti me 100 euro kam blerë disa nga produktet për një muaj... tani ato janë dyfish më shtrenjtë”, thotë Sherifja.
“Me shumë vështirësi e mbyllim muajin. Kemi shpenzime jo vetëm për ushqime, por edhe për rrymën, ujin, mbeturinat e të tjera”, shprehet ajo.
Në Kosovë, si gjetiu në botë, inflacioni ka nisur të rritet në fund të vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka marrë hov nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.
SHIKONI EDHE: Një vit luftë me inflacionin: Cilat janë parashikimet për 2023-shin?Por, një rritje të re të çmimeve janë duke e paralajmëruar përfaqësuesit e bizneseve dhe pronarët e kompanive prodhuese. Kjo, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Nga 1 prilli, në Kosovë kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike me rritje prej 15.4% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Kosto shtesë në prodhim
Kjo rritje rrit edhe kostot e prodhimit, thotë Sylejman Konushevci, pronar i një fabrike të vajit në Kosovë.
“Për momentin, një litër vaj është 1.15 deri në 1.20 euro [çmimi i furnizimit]. Ne nuk mund ta ruajmë këtë çmim që e kemi tani me këtë rritje të rrymës që është bërë. Jam i sigurt që një litër vaj do të bëhet deri në 1.30 euro”, thotë Konushevci për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: "S’kam çfarë të gatuaj në shtëpi" - Inflacioni mbush kuzhinat populloreBindje të ngjashme shpreh edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është lajm i mirë për bizneset. Kjo rritje është një kosto shtesë për prodhuesit vendorë dhe do të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të tjera”, thotë Rafuna.
Për më tepër, shton ai, rritja e tarifave të energjisë elektrike i vendos prodhuesit vendorë në një konkurrencë të padrejtë me kompanitë që eksportojnë në Kosovë.
“Shtetet si Gjermania, Italia, Kroacia - qeveritë e tyre u kanë subvencionuar bizneseve dallimin e çmimit të rritur të energjisë elektrike. Kjo, me automatizëm, nuk ka ndikuar te prodhuesi që të ketë kosto shtesë, që pastaj ta nxjerrë produktin me çmim më të lartë te konsumatori”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Prodhuesit në Kosovë vazhdimisht janë ankuar për konkurrencë të padrejtë, norma të larta të interesit dhe politika të pafavorshme fiskale.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se për shkak të kësaj gjendjeje, prodhimet vendore janë shpesh më të shtrenjta se ato që importohen.
SHIKONI EDHE: Më shtrenjtë prodhimet “Made in Kosova” se ato të huajatRafuna thotë se prodhuesit nuk kanë gjetur përkrahje nga institucionet e shtetit.
“Ka munguar dialogu publiko-privat. Ne jemi duke kërkuar që të vendoset një komunikim i drejtë dhe transparent mes bizneseve dhe Qeverisë. Jemi duke kërkuar që para se të merret ndonjë vendim, të diskutohet me bizneset për t’i ditur efektet që mund t’i ketë një vendim përkatës”, thotë Rafuna.
Qeveria e Kosovës, në të kaluarën, ka ndërmarrë disa nisma, si “superpuna”, e cila i ka subvencionuar pronarët e kompanive, duke ua paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh.
SHIKONI EDHE: A ofron “superpuna” punësim të qëndrueshëm?Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është zotuar se Qeveria e tij do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët.
“Mbështetja jonë për qytetarë do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë [për shtrenjtimin e rrymës], ku, ndër të tjera, do t’i subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovate në muaj, kurse grupet e cenueshme, siç janë familjet me asistencë sociale, do të kenë trajtim të veçantë”, ka thënë Kurti për gazetarët.
Nga shtatori i vitit të kaluar, Qeveria ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.
Secili konsumator që kursen së paku 5% të faturës, përfiton subvencion sa dyfishi i përqindjes së kursyer. Ky subvencionim i Qeverisë është ende në fuqi.
Sherifja tregon se faturën e fundit të energjisë elektrike, e ka paguar 32 euro. Me shtrenjtimin prej 15.4 për qind, ajo do t’i rritet për afro 5 euro.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.
SHIKONI EDHE: Guvernatori i BQK-së: Deficiti tregtar po e pengon rritjen ekonomike