Kosova ndan Medalje Presidenciale për gratë ukrainase

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Nëse dëshirojmë të mirëmbajmë paqen, mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolinat vendimmarrëse”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hapi punimet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në kuadër të këtij Forumi, gratë ukrainase u nderuan me Medalje Presidenciale.

Forumi, i njohur si WPS, po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe organizimi i tij kishte qenë zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci që u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.

Në fjalimin hapës, Osmani u shpreh e pikëlluar për faktin se ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti, nuk mund të shohë organizimin e këtij forumi.

“Znj. Albright ishte planifikuar të jetë folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend për kontributin që ka dhënë për sigurinë e paqen”, tha Osmani.

Kontributi i Madeleine Albright për çlirimin e Kosovës

Osmani tha se folësit e panelet e këtij forumi kanë për qëllim diskutimin mbi gratë dhe rolin e tyre në zona të konfliktit.

“Kemi këtu përfaqësues të Ukrainës dhe gazetare nga Ukraina. Ajo që po e dëshmon vendi juaj na e kthen kujtesën tonë të luftës”, tha Osmani duke përmendur pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt të këtij viti.

Ajo përmendi edhe kontributin e grave kosovare para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë që u zhvillua në fund të viteve 90’ si dhe rëndësinë e barazisë së grave në përparimin e shteteve.

“Historia e Kosovës është historia e secilës grua që e ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë”, tha Osmani.

Në kuadër të Forumit, Osmani ndau Medalje Presidenciale për gratë në Ukrainë.

“Kjo shkon për nënat, motrat, vajzat, luftëtaret, gazetaret, aktivistet. Ky çmim është simbol i përkrahjes së Kosovës pasi qëndrojmë së bashku që në të ardhmen të gëzojmë së bashku paqen”, tha Osmani.

Këtë çmim e pranoi deputetja ukrainase, Yevheniya Kravchuk, së bashku me disa gazetare ukrainase që po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një projekti të Qeverisë së Kosovës për strehimin e gazetareve ukrainase.

“Shumë gra të Ukrainës janë viktima të kësaj lufte por jane gjithashtu edhe luftëtare, gazetare dhe do të ngadhnjejmë”, tha Kravchuk.

Blinken: Forumi ka dy tema që ishin të rëndësishme për Albright

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se është nder t’i adresohet këtij forumi sepse përmbledh dy tema të rëndësishme për paraardhësen e tij, Albright, Kosovën dhe fuqizimin e grave, duke çmuar lartë figurën e ish-sekretares.

“Sekretarja Albright luftoi për të përfshirë gratë në të gjitha aspektet e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes sepse kishte parë dallimin që bënin kur u jepej zë”, tha ai përmes një video-mesazhi.

Ai kujtoi fjalimin e Albright në Parlamentin e Kosovës më 2005, kur kishte kërkuar që grave t’u jepet më shumë hapësirë në jetën shoqërore.

“Që nga ajo kohë, Kosova ka zgjedhur dy gra në postin e presidentes, dhe më duhet të shtoj se janë dy gra më shumë presidente sesa SHBA-ja”, tha ai.

Përmes një video-mesazhi, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se diskutimet që do të zhvillohen në këtë forum janë të një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh situatën me luftën në Ukrainë.

“Kur gratë, paqja dhe siguria po sulmohet në qendër të Evropës është shumë urgjente që ne ekspertët, liderët e akademikët duhet të bëhemi bashkë për t'i diskutuar sfidat që po i kanosen agjendës së Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”, tha Metsola.

Në punimet e këtij forumi mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se gratë janë pjesë kyçe e garancisë së sigurisë, duke shtuar se dëshiron që në të ardhmen të shohë pjesëmarrje më të madhe të grave në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Angazhimi i grave në Kosovë nuk ka munguar në shtetndërtim dhe mbarëvajtjen e shtetit tonë. Nuk ka garanci më të mirë për paqen e sigurinë përveç nëse kjo realizohet nga burrat e gratë bashkë”, tha ai.

Sipas të dhënave, 11 për qind e Forcës së Sigurisë së Kosovës përbëhet nga gratë.

SHIKONI EDHE: Pak gra në uniformë të FSK-së  

Sipas agjendës zyrtare, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.

Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.