Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Policia dhe Prokuroria e Kosovës kanë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet lokale 2021, që do të mbahen më 17 tetor.
Në një konferencë për media të KQZ-së është bërë e ditur se në operacionin policor për zgjedhjet e 17 tetorit do të jenë të angazhuar 3,352 zyrtarë policorë dhe 80 prokurorë.
Kryetari i KQZ-së, Kreshik Radoniqi ka ftuar qytetarët të dalin të votojnë dhe të zgjedhin kryetarët e komunave dhe kandidatët për asamble komunale.
“Ftojë subjektet politike, kandidatët për asamble dhe çdo kënd tjerë që kanë rol në procesin zgjedhor t’i përmbahen ligjit dhe rregullave zgjedhore, në të kundërtën rrezikojnë të krijojë vepër penale të paraparë në Kodin Penal të Kosovës”.
KQZ-ja ka bërë të ditur se ka bërë kërkesë nga Qeveria e Kosovës që të hiqet kufizimi i lëvizjes, që nis nga ora 22:00 deri në ora 05:00, por që ende nuk ka marrë aprovim.
SHIKONI EDHE: Testi për fuqinë politikeDrejtori i përgjithshëm i Policës së Kosovës, Sabedin Mehemti tha se policia do të përdorë të gjitha kapacitetet për të siguruar ruajtjen e sigurisë publike para, pas dhe gjatë votimit.
Mehmeti bëri të ditur se në procesin parazgjedhor deri më tani janë iniciuar dy raste penale për dëmtim i billbordeve, 14 raste kundërvajtje për mosrespektim të masave COVID-19.
Po ashtu ai tha se policia ka monitoruar 863 tubime të subjekteve politike prej tyre 18 janë mbajtur duke mospërfillur procedurat.
Edhe koordinatorja nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, tha se kanë finalizuar të gjitha veprimet për zgjedhjet e 17 tetorit që vota e lirë e qytetarit të ruhet.
“Prokuroria së bashku me Policinë e Kosovës do të jenë gardianë të mbrojtjes së votës, ashtu që do të ndalojnë të gjithë votuesit që do të keqpërdorin votën, njëkohësisht do të ndalojmë dhe arrestojmë edhe zyrtarët përgjegjës të cilët në çfarëdo mënyre ndikojnë apo tentojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit”, tha Pula.
SHIKONI EDHE: Premtime me bollëkKQZ-ja ka bërë të ditur se lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet e 17 tetorit ka 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.
Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 shkurt 2021, sipas KQZ-së, është 18 mijë e 252 votues.
Ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është 1 mijë e 158 votues.
Numri i qendrave të votimit është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
Ndërkaq, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532 votues.