Kosova vazhdon luftën për eliminimin e mbeturinave

Pamje nga aksioni për pastrimin e Kosovës.

Kosova ka arritur të mbledhë 326 tonë mbeturina gjatë aksionit për pastrim në ditën e shtunë, ku sipas organizatorëve kanë marrë pjesë rreth 100 mijë qytetarë.

Kosova me një sipërfaqe prej rreth 11 mijë kilometrash katrorë përballet me më shumë se 2000 deponi ilegale të krijuara nga bizneset afariste dhe nga vetë banorët lokalë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bëri të ditur përmes konferencës për media se ishte një aksion i jashtëzakonshëm, i mbështetur dhe i përkrahur në masë të madhe prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, i koordinuar nga Ministria e Mjedisit, së bashku me dhjetë ministri të tjera, me organizatat e shoqërisë civile, me bashkësitë fetare, me qytetarët e shumtë, që siç thotë ai, u bën pjesë dhe dhanë mesazhin se vendi ynë do ndahet nga mbeturinat.

“Të dhënat flasin se kanë qenë mbi 100 mijë qytetarë ku janë mbledhur 316 tonë mbeturina. Ka edhe një numër të mbetjeve inerte, edhe të shtunën e të dielën janë pastruar 150 tonë me mbetje inerte vetëm në Mitrovicë, 110 kamionë në komunën e Prishtinës”, tha Matoshi.

(Video nga arkivi: Kosova e ngufatur nga mbeturinat)

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova e ngufatur nga mbeturinat

Në anën tjetër, Merlina Muçaj nga organizata “Green Art Center” thotë se iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” është në hapat e parë për eliminimin e deponive ilegale që janë krijuar në shtetin e Kosovës.

Ndonëse thotë se iniciativat e tilla me vullnetin e qytetarëve do ta ndihmonin Kosovën, aktualisht gjendja lë për të dëshiruar.

Muçaj flet edhe për gjendjen e lumenjve, e që siç thotë ajo janë aktualisht me ndotje shumë të lartë, që ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut.

“Gjendja e lumenjve dhe ajo që hyn në pasurinë e pasurive ujore, paraqitet me ndotje tepër të lartë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njerëzve. Aspekti ujor është tematikë tejet e veçantë dhe e cila përpos pastrimit manual të tyre kërkon edhe instrumente të tjera shtesë për pastrimin në të thellë të tyre. Disa iniciativa dhe aksione do të përmbajnë edhe pastrimin e lumenjve. Megjithatë, ajo kërkon mobilizim tjetër e që do të vijojë në fazat tjera”, tha Muçaj.

Në anën tjetër, Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, njëra nga dhjetë ministritë që janë pjesë e aksionit për pastrimin e Kosovës, ka thënë se deri në fundit të muajit shtator, të gjitha rrugët që menaxhohen nga Ministria e Infrastrukturës do të jenë të pastra.

“Ne si Ministri e Infrastrukturës kemi qenë pjesëmarrës në aksioni. Me 300 punëtorë kemi punuar në terren gjatë ditës në 20 lokacione. Deri në fund të vitit kemi plan që të mos mbetet asnjë mbetje inerte”, tha Kadriu.

Ndryshe, në Kosovë mund të riciklohet letra dhe disa lloje të plastikës. Të gjitha mbeturinat tjera përfundojnë në deponi, dhe në deponi ilegale.

Studimi i fundit i bërë ka rezultuar se rreth 317 kilogramë mbeturina është mesatarja e gjeneruar për kokë banori, apo vetëm në rajonin e Prishtinës, për një vit sasia e mbeturinave komunale ka arritur 1.4 kilogram në ditë për një banor.