Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për t'i dalë në ndihmë këtij shteti që, më 6 shkurt, u godit nga tërmete të fuqishme vdekjeprurëse.
Ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj, tha se kontingjenti përbëhet nga specialistët e kërkim-shpëtimit urban, personel mjekësor ushtarak dhe qen të kërkim-shpëtimit.
"Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e ditëve në vijim do të shtojmë kapacitetet reaguese për reagim, kërkim-shpëtim dhe sanim të pasojave të tërmetit", shkroi Mehaj në Facebook.
Më herët, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës për ndihmë Republikës së Turqisë “në tejkalimin e pasojave të tërmeteve të sotme”.
Osmani në cilësinë e komandantes supreme, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave të FSK-së në operacion ndërkombëtar humanitar në Turqi "për t’i mbështetur përpjekjet e autoriteteve turke për tejkalimin e pasojave tragjike të tërmeteve të sotme”.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për dërgimin e kontingjentit të FSK-së, sipas kërkesës së ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, për ndihmë humanitare në rajonet e prekura nga tërmeti i sotëm.
Qeveria e Kosovës tha se është duke marrë informata nga Turqia "nëse në qytetet e goditura kemi shtetas tanë dhe t’u ofrojë mbështetjen e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Ndërkaq, Ambasada e Kosovës në Turqi ka vendosur dy numra emergjentë, për qytetarët e Kosovës, nëse u duhet ndihmë:
- Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara: +90 542 711 80 99
- Konsullata e Republikës së Kosovës në Stamboll: +90 531 105 63 91
Një tërmet prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën pjesën juglindore të Turqisë dhe atë veriore të Sirisë.
Në dy shtetet është raportuar për mijëra viktima dhe të plagosur.
Turqia shpesh goditet nga tërmete të fuqishme, por disa ekspertë kanë vlerësuar se ky ishte një ndër tërmetet më të mëdha.
Sizmologu nga Longond College, Stephen Hicks, tha se edhe një tërmet prej 7.8 shkallësh kishte goditur Turqinë më 1939, duke vrarë 30.000 persona.