Sivjet më pak grurë

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova përsëri e varur nga importi i grurit

Fermeri Valon Vehapi, nga Komuna e Lipjanit, këtë vit, gjatë fushatës së korrje-shirjeve ka arritur të sigurojë vetëm 3.000 kilogramë grurë në një hektar, apo përgjysmë më pak se vitin e kaluar. Vehapi tregon se ka pasur të kultivuar mbi 100 hektarë sipërfaqe me kulturën e grurit. Kushtet klimatike sipas tij, gjatë këtij viti kanë qenë arsyeja e rënies së sasisë së rendimenteve.

“Nga një hektar sipërfaqe, sivjet kemi grumbulluar nga 2.800 deri në 3.300 kilogramë grurë, kurse vitin e kaluar kanë qenë nga 5.500 deri në 7.000 kilogramë për hektarë”, thotë Vehapi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë këtij viti, rreth 68.000 hektarë tokë është e kultivuar me kulturë të grurit. Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit është rreth 4.000 kilogramë për hektarë, edhe pse sipas tij, pritjet kanë qenë më të mëdha. Ai shprehet se me këtë sasi, Kosova sivjet do t’i plotësojë rreth 65 për qind të nevojave të popullatës me ushqim.

Korrje-shirjet përmes fotove

“Sipas nevojave në nivel vendi, nëse do mbilleshin 100.000 hektarë tokë me grurë dhe nëse rendimenti do të ishte prej 4.000 kilogramësh, atëherë i bie që Kosova të prodhojë 400.000 tonë grurë, sa janë edhe kërkesat dhe do të përmbusheshin nevojat për konsum”, shprehet Cikaqi.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori, janë 205 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.

Vitin e kaluar, sasia e prodhimit të grurit ka paraqitur rekord, pasi deri në 4.700 kilogramë janë siguruar për hektarë, në rreth 63.000 hektarë sipërfaqe të mbjellur me këtë kulturë.

Se rendimentet e grurit gjatë këtij viti nuk janë në nivelin e kënaqshëm, thotë edhe Tahir Tahiri, kryetar në Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës. Ai thotë nëse fermeri nuk arrin të sigurojë deri në 4.500 kilogramë grurë për hektarë, atëherë bujqit nuk kanë llogari të merren me këtë veprimtari.

“Pjesa dërmuese e sipërfaqes se grurit është nën 3.000 kilogramë. Ata bujq që nuk arrijnë të sigurojnë deri në 4.500 kilogramë për hektarë, me çmimin e kilogramit të grurit që marrin mullinjtë 0.18 respektivisht 0.19 centë, nuk arrijnë të mbulojnë koston e prodhimit. Kështu që bujqit, për një ose dy vjet nuk mund të përballojnë këtë situatë dhe heqin dorë prej prodhimtarisë së grurit”, thekson Tahiri.

SHIKONI EDHE: Vit rekord i rendimenteve të grurit 

Blerësit dhe shitësit e grurit të pakënaqur me çmimet

Fermeri Valon Vehapi tregon se çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, është 0.15 centë, kurse shitja bëhet 0.18 centë. Çmimi, sipas tij, është i njëjtë me grurin e importuar nga vendet e rajonit.

“Ne e prodhojmë grurin dhe e shesim në mullinj. Si prodhues, çmimi del 0.15 centë, kurse e shesim 0.18 centë. Politika e shtetit është katastrofë. Shteti nuk mbron prodhimin vendor sepse në periudhën e fushatës së korrje-shirjeve, deri sa të harxhohet sasia e grurit vendor, institucionet të vendosin taksa të ndryshme për grurin e importuar nga shtetet tjera”, thotë Vehapi.

SHIKONI EDHE: Grantet dhe subvencionet e gëlltitura nga zyrtarët

Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, konfirmon se ka filluar grumbullimi i grurit nga mullisët, me çmim deri në 0.19 centë, varësisht nga kualiteti dhe sasia. Por, Zejnullahu thekson se me grurë furnizohen edhe nga vendet e rajonit, për shkak të çmimit të leverdishëm.

“Më të shkelurit aktualisht janë fermerët, sepse ne si kompani komerciale, vendosim që të blejmë ku kemi llogari më të madhe. Kurse fermeri nuk ka shumë për të zgjedhur. Qeveria duhet t’i dalë në ndihmë fermerëve sepse shoqata nuk mundet”, thekson Zejnullahu.

SHIKONI EDHE: Sektori i bujqësisë, nga prioritet në vatër korrupsioni

Çmimi i ulët i grurit dhe mosmarrja e masave nga Qeveria e Kosovës për të mbrojtur fermerët, është arsyeja kryesore që ka ndikuar që Vehapi mos të rrisë sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë.

“Nëse shteti merr masa dhe të jetë serioz në këtë çështje, unë 500 hektarë tokë i mbjelli me grurë”, tha ai.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) thonë se kohëve të fundit ka pasur kërkesa nga Shoqata e Mullisëve të Kosovës për dyshimet mbi çmimet damping të importit të miellit nga disa vende të rajonit, kërkesa të cilat janë duke u analizuar nga Departamenti i Tregtisë, mirëpo nuk ka pasur ndonjë kërkesë për mbrojtje të grurit mbi dyshimet e çmimeve damping të importit të grurit.

Kosova asnjëherë nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës së saj me miell nga rendimentet e grurit. Vazhdimisht është varur nga importi, që kryesisht vjen nga vendet e rajonit dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Në vitin 2019, Kosova ka importuar 146 milionë kilogramë miellë dhe grurë, kurse vitin e kaluar 159 milionë kilogramë ose 13.3 milionë kilogramë më shumë se vitin paraprak.

SHIKONI EDHE: Përgjysmohet sipërfaqja e tokës së mbjellë me grurë

Gruri është lëndë e parë për prodhimin e miellit. Duke marrë parasysh së në Kosovë nuk plotësohen nevojat e popullatës me prodhimin e grurit vendor, në përgjigjen e MTI-së, thuhet se importi i grurit mbetet shumë i rëndësishëm për sigurimin e sasive të mjaftueshme të grurit për të plotësuar nevojat e industrisë së përpunimit të grurit dhe të industrive tjera të cilat përdorin grurin/miellin për të prodhuar produkte vendore siç janë: buka, makarona dhe shumë produkte të tjera.