Krejt çfarë u tha në seancën e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë

Nga seanca e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë e mbajtën të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku u zotuan përmes një deklarate përfundimtare se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare dhe do ta thellojnë bashkëpunimin mes vete.

Gjatë seancës që zgjati tri orë, liderët e të dyja vendeve mbajtën fjalime para deputetëve të pranishëm nga të dyjave vendet, ku mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën dhe lartësuan lidhjet historike mes dy vendeve.

Deklarata e tyre e përbashkët, e cila u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thekson se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkim Evropian brenda kësaj dekade, integrimi euroatlantik i Kosovës, pra në NATO dhe BE, dhe njohjet përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

Deklarata shprehu shqetësimin pse BE-ja nuk e ka marrë parasysh ende kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe u bën thirrje pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

“Dy kuvendet mbështesin dhe kërkojnë angazhim serioz për ta çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në bashkëpunim të ngushtë me BE-së dhe Shtetet e Bashkuara, për ta finalizuar një marrëveshje për njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

SHIKONI EDHE: Kush është fajtor për ngecjen në dialogun Kosovë-Serbi?

Deklarata gjithashtu i dënoi sulmet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë në veri të Kosovës, dhe shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në veri. Ajo i bëri thirrje Serbisë të ekstradojë në Kosovë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë një rreshter policor.

Kjo ishte mbledhja e parë mes këtyre dy kuvendeve në Prishtinë, ndërsa e dyta në përgjithësi asaj që mbajt dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.

Çfarë u tha në seancën e përbashkët?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet mes popujve të Shqipërisë dhe Kosovës e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës.

“Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa tjetri nën sanksione të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut”, tha Rama.

Derisa Shqipëria i hapi kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE në tetor, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.

Rama tha se ai dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkuan heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës gjatë një samiti BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën në Bruksel.

Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se lidhjet e thella mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të "rrënjosura në histori, në sakrifica dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen".

SHIKONI EDHE: "Më pyet, cili është flamuri im..."

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë më 2024, shqiptarët e përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë në Kosovë, me 92.72 për qind.

Ajo bëri thirrje që dy vendet t’i shfrytëzojnë lidhjet e tyre historike për ta forcuar bashkëpunimin dhe bashkërendimin.

Për t’i tejkaluar sfidat dhe pengesat, Kosovës i nevojitet ndihma e Shqipërisë, theksoi ajo.

“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim. Një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të madhe dhe përpjekje më të palodhshme Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila tregon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri”, theksoi Osmani.

"Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë"

Ndërkohë, Rama sugjeroi që Kosova t’i dëshmojë bashkësisë ndërkombëtare që është e gatshme për integrime euroatlantike duke i zbatuar të gjitha marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në mënyrë të njëanshme, “jo për hir të Serbisë, po për hir të martirëve dhe të fëmijëve të vet dhe për hir të bashkimit tonë kombëtar në familjen e kombeve evropiane me kryeqytet të përbashkët Brukselin”.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve në fillimit të vitit 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Por, marrëveshja nuk është zbatuar deri tani.

SHIKONI EDHE: Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

“Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë, pa afat dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior, duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke lidhur kërthizën e reciprocitetit evropianist me BE-në”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Shqipëria është “krahu mbështetës” i Kosovës për tejkalimin e sfidave për anëtarësim në organizatat ndërkombëtar.

“Ne na gëzon fakti që Shqipëria është vend i NATO-s dhe kandidate e BE. Kosova ka dorëzuar aplikimin për në NATO. Shqipërinë e kemi në krahun tonë për të tejkaluar pengesat politike për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Tejkalojmë kriterin prej 2% të produktit bruto vendor që kur është përcaktuar si kriter në samitin e Uellsit”, tha ai.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.

Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

SHIKONI EDHE: Udhëheqësit në Kosovë urojnë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë

“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e aj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë”, tha Konjufca.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synimet dhe vizionet e njëjta drejt integrimeve evropiane.

“Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë”, tha Spirapoli.