Kosova dhe Shqipëria kanë të nënshkruara shumë marrëveshje ekonomike e tregtare, të cilat si të tilla, mundësojnë eliminimin e barrierave ekonomike në mes dy shteteve, por që, sipas përfaqësuesve të bizneseve nuk po zbatohen.
Problemi më i theksuar thuhet të mbetet te pikat kufitare Kosovë - Shqipëri, ku të gjithë qytetarët, e po ashtu edhe mallrat, vazhdojnë t’iu nënshtrohen kontrolleve të dyfishta kufitare.
SHIKONI EDHE: Kosova dhe Shqipëria synojnë modernizimin kufitarLulzim Rafuna, këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe njëherësh këshilltar edhe i ministrit të Financave në Kosovë, Bedri Hamza, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për një pikë të vetme doganore është duke u zbatuar, por që së shpejti do të finalizohet dhe do të ketë vetëm një kontrollim kufitar.
“Jemi duke shkuar hap pas hapi, duke integruar sistemet dhe procedurat. Deri më tani janë integruar sistemet, ndërsa sa u përket procedurave edhe për një kohë të shkurtër derisa të harmonizohen rregulloret jemi duke i kryer kontrollet kufitare të veçanta, pra Shqipëria po e bën procedurën e vet, e Kosova gjithashtu”.
“Mirëpo, e mira është se tani është një ndalesë e vetme dhe procedurat kryhen në një ndalesë të vetme. Pritjet janë dhe kërkesat e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit Bedri Hamza, që shumë shpejt të ketë vetëm një procedurë për të dy doganat dhe të pranohen në mënyrë reciproke të gjeturat e atij kontrolli”, thekson Rafuna.
SHIKONI EDHE: Autostrada nuk rriti këmbimet tregtare Kosovë - ShqipëriAi shton se janë duke iniciuar veprime të tjera që kufiri Kosovë - Shqipëri, nga një kufi klasik të shndërrohet në një kufi virtual.
“Ne jemi duke punuar të shkurtimin e dokumentacionit pra përveç shkurtimit të kohës së pritjes në vendkalimet shkojnë të ulin procedurat burokratike që është e rëndësishme për biznesin. Ne jemi duke menduar iniciativa të reja që do të shkrijnë edhe më shumë kufirin Kosovë – Shqipëri. Jemi duke punuar paralelisht edhe me zbatimin e marrëveshje të nënshkruara, por edhe duke përgatitur iniciativa të reja për të ardhmen”, thekson ai.
SHIKONI EDHE: Marrëveshjet e ngecuraPërfaqësues të bizneseve në Kosovë ankohen se ka barriera të shumta tregtare dhe se këto barriera ekonomike mbeten probleme që pengojnë thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm politik dhe nuk ka ndërmarrë veprime të caktuara që të lejojë që produkte e Kosovës të eksportohen në tregun shqiptarë pa barriera shtesë.
“Ende ka shumë probleme. Unë një ditë më parë kam pasur një ankesë nga një biznes te çështja e certifikatave dhe nuk ka harmonizim mes dy shteteve. Nga ana e Shqipërisë ka hezitim që të njihet dokumentacioni, shumë herë ka pritje të gjata në kufi. Me Shqipërinë, në kushte normale, Kosova është dashur ta kemi partneritetin kryesor, por kjo nuk po ndodh. Shqipëria nuk ka treguar vullnet të mjaftueshëm politik dhe nuk ka ndërmarrë veprime të caktuara që të lejojë që produktet e Kosovës të eksportohen në tregun shqiptar pa barriera shtesë. Me gjasë atje grupet e interesit janë më të fuqishme sesa pjesa e vendimmarrësve”, thotë Rukiqi.
Liderët në Kosovë dhe Shqipëri në vazhdimësi janë deklaruar për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe eliminimit të të gjitha barrierave. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërie çdo vit i mbajnë edhe mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë ku edhe nënshkruhen marrëveshje për fusha të ndryshme.
SHIKONI EDHE: Kosova, vend i tregtisëPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga samiti Brdo-Brijunit që u mbajt një ditë më parë në Tiranë, ka shkruar në rrjetin e tij social Facebook se pikat kufitare në mes dy vendeve, duhet të hiqen.
“Sapo kalova pikën kufitare në Morinë, e cila ndan padrejtësisht Kosovën dhe Shqipërinë. Kufi ky i vendosur jashtë vullnetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Këto gërmadha kufitare duhet të hiqen njëherë dhe përgjithmonë. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë liri të lëvizjes dhe mallrave sipas standardeve evropiane. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të guxojnë t’i marrin këto vendime dhe atë pa humbur kohë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Në fillim të këtij viti Dogana e Kosovës ka hapur pikën doganore në Portin e Durrësit, e cila thuhet se ka rritur shkëmbimet tregtare ndërmjet dy shteteve dhe ka shkurtuar koston e shpenzimeve të transportit.
SHIKONI EDHE: Kosova hap pikën doganore në Portin e DurrësitPër të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Megjithatë, shkëmbimet tregtare mes dy shteteve nuk janë në nivel të kënaqshëm.
Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e produkteve, të cilat importohen nga Shqipëria në Kosovë, kap shifrën e rreth 200 milionë eurove në vit, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri, është rreth 60 milionë euro.