Shumë serbë dhe një përqindje e konsiderueshme e kosovarëve nuk e kanë shumë të qartë se cili është objektivi i shteteve të tyre respektive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon një hulumtim i kryer në Kosovë dhe Serbi, nga Qendrat për Studime të Sigurisë.
Sipas anketimeve, 31 për qind e kosovarëve dhe mbi 50 për qind e serbëve të anketuar kanë deklaruar se nuk e dinë se çfarë janë synimet në dialogun i cili po ndërmjetësohet nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në një konferencë virtuale të organizuar nga Instituti për Politikë të Jashtme i Universitetit John Hopkins, me seli në Baltimore, të shtetit federal Meriland në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është pasqyrë e asaj si njerëzit e shohin dialogun, pasi në këtë formë iu është prezantuar nga qeveritë e tyre, e që shumica janë të mbyllura në këtë proces”, vlerësoi në analizën e tij, Nikola Burazer, drejtor i programit në Qendrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.
Sipas të dhënave të publikuara, mbi 48 për qind e serbëve e shohin si zgjidhje të vetme kthimin e Kosovës nën sovranitetin e Serbisë, duke ia ofruar një autonomi të gjerë, ndërkaq mbi 76 për qind e kosovarëve presin që zgjidhja finale të jetë njohja e ndërsjellë.
SHIKONI EDHE: Njohja dhe Asociacioni, kompromise të dhimbshmeNë të dyja vendet, qytetarët e mbështesin vazhdimin e dialogut, por shumica prej tyre e konsiderojnë atë jotransparent.
Po ashtu, shumica dërmuese e të anketuarve janë shprehur kundër idesë për shkëmbim territorial. Në Kosovë vetëm 6 për qind e mbështesin këtë ide, ndërkaq në Serbi vetëm 4.2 për qind.
Ndërkaq, 9 për qind e kosovarëve e mbështesin krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
‘Mosbesim i madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve’
Mbi 72 për qind e të anketuarve në Serbi, nuk besojnë se do të arrihet marrëveshje e paqes ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq, 49 për qind e të anketuarve në Kosovë, besojnë se kjo është e mundshme.
Edward Joseph nga Universiteti John Hopkins, e vlerësoi shqetësues faktin se 20 vjet pas përfundimit të luftës, kosovarët dhe serbët kanë ende këtë shkallë mosbesimi ndërmjet tyre.
“Nëse e shohim që një përqindje kaq e lartë e njerëzve janë kategorikisht kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues të kombësisë serbe ose shqiptare, është shumë shqetësuese”, tha Joseph.
“Duhet të marrim si shembull pozitiv atë çfarë arritën Maqedonia e Veriut dhe Greqia”, shtoi ai.
Joseph iu referua të dhënave të hulumtim, ku mbi 80 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe Serbi janë kundër mundësisë që fëmijët e tyre të edukohen nga mësues që nuk i përkasin kombësisë së tyre.
Po ashtu, shumica dërmuese janë kundër martesave të përziera.
Kush janë “miqtë dhe armiqtë” e Kosovës dhe Serbisë?
Kosovarët e shohin SHBA-në si aleaten më të rëndësishme, pasuar nga Gjermania dhe Shqipëria. Madje, në këtë sondazh, shumica e të anketuarve konsiderojë se ndihma kryesore për luftimin e pandemisë së koronavirusit, ka ardhur nga SHBA-ja. Ky rezultat ka befasuar Edward Joseph, nga Universiteti John Hopkins.
“Duhet ta them se është ironike se si kosovarët e shohin SHBA-në si kontribuuesen më të madhe në kohën e pandemisë, kur SHBA-ja në njëfarë mënyrë kontribuoi në ndërrimin e qeverisë në kohë pandemie”, tha ai.
Ndërkohë, në këtë hulumtim kosovarët janë pyetur se si e vlerësojnë rolin e përfaqësuesit special të presidentit amerikan në dialog, Richard Grenell. Nga të anketuarit, 33 për qind e kanë vlërsuar deri diku të mirë, 26 për qind të mirë dhe 27 për qind jo të mirë.
SHIKONI EDHE: Më pak serbë e shohin SHBA-në si armike, thotë hulumtimi
Në Serbi, aleatet kryesore llogariten Rusia, Kina dhe Greqia, ku Kina konsiderohet si kontribuuesja më e madhe në Serbi për menaxhimin e krizës me COVID-19.
Serbët e shohin Kroacinë si armikun më të madh, pasuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja.
“Fakti që SHBA-ja nuk është në krye të listës së armiqve të perceptuar, ka të bëjë me faktin se shumë veta në Serbi e kanë parë administratën (e presidentit Donald) Trump si me të butë në raport me Serbinë dhe çështjen e Kosovës. Nëse bëhet tash një sondazh i ri me këtë pyetje, pas fitores së Joe Biden, besoj se rezultati nuk do të jetë i njëjtë”, tha Vuk Vukasnoviq, hulumtues i raportit nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.
Në Kosovë ndërkaq, shtetet më armiqësore konsiderohen Rusia dhe Kina.
Anëtarësimi në BE
Shumica e serbëve (51 për qind e të anketuarve) mendojnë se Serbia nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, ndryshe nga kosovarët që besojnë se do të jenë pjesë e këtij institucioni.
Serbët e anketuar po ashtu në masë të madhe janë në favor të fuqizimit të raporteve me Rusinë dhe Kinën, e vetëm një çerek i tyre favorizojnë raporte më të ngushta me BE-në.
Anketimet në Serbi dhe Kosovë janë bërë në fillim të tetorit.
SHIKONI EDHE: Do të hiqnin dorë nga BE-ja për KosovënDialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nisi më 2011. Ky proces, që ka për qëllim normalizimin e raporteve mes dy shteteve, u ndërpre në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës, vendosi taksë prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Më pas taksa u pasua me reciprocitet. Por, me të marrë detyrën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat, me qëllim që t'i jepej shans vazhdimit të dialogut.
Dialogu në Bruksel rinisi në korrik të këtij viti, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Takimi i korrikut u pasua nga një takim në shtator, por që atëherë, palët nuk janë takuar. Lidhur me mosmbajtjen e raundeve të reja të bisedimeve në nivelin e lartë politikë, BE-ja është arsyetuar me situatën që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit të ri.