Në Moldavi, Ukraina kërkon anëtarësim në NATO dhe garanci sigurie

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në konferencë për media gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, 1 qershor 2023.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, argumentoi se Ukraina duhet të jetë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s dhe i kërkoi kësaj aleance që, nëse anëtarësimi nuk është i mundur aktualisht, atëherë t’i ofrojë Ukrainës garanci të sigurisë.

Duke iu bashkuar një takimi të 45 liderëve evropianë në Moldavi në samitin e Komunitetit Politik Evropian, lideri ukrainas kërkoi mbështetje të mëtejshme nga Perëndimi para një kondërofensive të pritur të Ukrainës kundër forcave ruse.

Franca dhe Gjermania shprehën të dyja mbështetje për idenë që Ukrainës t’i jepen garanci të sigurisë.

Fotoja e përbashkët e liderëve pjesëmarrës në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, 1 qershor 2023.

Duke iu drejtuar udhëheqësve në fillim të samitit, Zelensky u kërkoi anëtarëve të NATO-s të marrin një vendim të qartë nëse do ta pranojnë Ukrainën dhe gjithashtu përsëriti thirrjet që avionët luftarakë perëndimorë ta mbrojnë qiellin e Ukrainës pas një sulmi tjetër vdekjeprurës në Kiev, si dhe të ofrojnë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot.

Duke vënë në dukje se avionët luftarakë F-16 që ai kërkonte furnizohen nga SHBA-ja, Zelensky tha pas takimit se kishte “dëgjuar mbështetje të fuqishme nga shumë vende”, duke shtuar: “Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara do ta krijojmë këtë koalicion”.

Muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, miratoi programet e trajnimit për pilotët ukrainas për aeroplanët F-16, megjithëse për përfundimin e këtyre programeve do të duhen muaj të tërë dhe aleatet perëndimore nuk kanë thënë ende përfundimisht se do ta furnizojnë Ukrainën me këta avionë.

Lexoni edhe këtë: SHBA-ja jep 300 milionë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën

Në fillim të samitit – ku morën pjesë 27 shtetet anëtare të BE-së dhe 20 shtete të tjera evropiane – Zelensky tha se do të kërkonte një ftesë të qartë nga NATO për Ukrainën për të marrë pjesë në samitin e aleancës në Vilnius në korrik.

Ai tha më vonë se Ukraina kërkonte garanci të sigurisë nëse anëtarësimi në NATO nuk është i mundur për momentin, ndërsa këmbënguli se garancia më e mirë e sigurisë është anëtarësimi.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Ukrainës duhet t'i jepen garanci të qarta dhe të forta sigurie në samitin e NATO-s në korrik. Macron tha se po punonte ngushtë me Gjermaninë për këtë çështje.

“Ne duhet t'ia japim një perspektivë afatgjatë Ukrainës. Është e domosdoshme që samiti në Vilnius t'ia ofrojë këto garanci”, tha ai.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se garanci të tilla duhet “të hartohen në atë mënyrë që t'i japin Ukrainës sigurinë që i nevojitet kundër rrezikut të sulmit, që të stabilizojnë gjithashtu, që natyrisht nënkupton gjithashtu një angazhim në lidhje me krijimin e aftësitë mbrojtëse nga ana e Ukrainës”.

Shtetet anëtare të NATO-s nuk kanë mbajtur qëndrime të njëjta deri më tani lidhur me afatet kohore për anëtarësimin e Ukrainës, pasi që disa shtete frikësohen se anëtarësimi i shpejtë mund ta sjellë aleancën më afër konfrontimit të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Lexoni edhe këtë: Stoltenberg: Anëtarësimi i Ukrainës në NATO gjatë luftës, nuk është në agjendë

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, priti liderët mysafirë të samitit në një kështjellë vetëm 20 kilometra larg Ukrainës dhe pranë rajonit separatist Transdniestria të Moldavisë, të mbështetur nga Rusia.

“Ne i thamë presidentit Zelensky se do të qëndrojmë pranë Ukrainës për aq kohë sa të duhet”, tha ajo në një konferencë për shtyp në mbyllje të mbledhjes.

Aspiratat për anëtarësim në BE

Zelensky tha gjithashtu se Ukraina po punonte drejt mbajtjes së një samiti për t’i diskutuar parametrat për përfundimin e luftës, por nuk kishte caktuar ende një datë pasi Kievi dëshironte të sillte më shumë vende në tryezë.

Udhëheqësit e përdorën takimin e 1 qershorit si një shfaqje simbolike të mbështetjes për Ukrainën dhe Moldavisë, ndërsa trajtuan gjithashtu çështje të tjera, duke përfshirë rritjen e tensioneve etnike në veri të Kosovës dhe përpjekjet drejt paqes së qëndrueshme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Samiti ishte një sfidë sigurie dhe organizative për Moldavinë, një ish-republikë sovjetike me 2.5 milionë banorë që po kërkon anëtarësimin në BE, ndërkohë që po qëndron e kujdesshme ndaj Rusisë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, gjatë takimit në samitin në Moldavi, 1 qershor 2023.

Sandu, një udhëheqëse pro-perëndimor, marrëdhëniet e së cilës u tensionuan rëndë më Rusinë pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia vitin e kaluar, shrytëzoi samitin për t’i nxitur bisedimet për të bërë Moldavinë anëtare të BE-së.

Ashtu si Ukraina, ajo aplikoi për t'u anëtarësuar në BE vitin e kaluar menjëherë pas pushtimit të Ukrainës.

Burimet diplomatike të Reuters thanë se Macroni kishte bërë thirrje për zgjerimin e BE-së “sa më shpejt të jetë e mundur”. Kjo deklaratë e Macronit një ditë më parë në Bratisllavë u cilësua si një sinjal që Parisi, dikur hezitues, do ta mbështeste idenë që bisedimet e anëtarësimit në BE për Ukrainën dhe Moldavinë të fillojnë në fund të vitit.

Tensionet në Kosovë

BE-ja tentoi gjithashtu të përdorë këtë samit për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës. Macron tha se Franca dhe Gjermania u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të organizojnë zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur në rajonet e prekura nga trazirat civile.

Lexoni edhe këtë: Franca dhe Gjermania kërkojnë zgjedhje të reja në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është e gatshme të zhvillojë zgjedhje të reja lokale për sa kohë që ato të nxiten nga një proces ligjor.

Osmani i bëri këto komente para gazetarëve pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Macronin, Scholz dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në margjinat e samitit në Moldavi.