Kosova është ndër vendet, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i nënshtrohet një niveli më të ulët të rrezikshmërisë nga një lloj koronavirusi, i njohur si 2019-nCoV, i cili më parë nuk është identifikuar në njerëz. Nga ky virus në Kinë, janë shënuar dhjetëra viktima dhe qindra të sëmurë. Shumë vende, përfshirë edhe ato evropiane, kanë njoftuar me ndërmarrjen e masave parandaluese ndaj përhapjes së këtij virusi.
Megjithatë, si masë parandaluese, tashmë një ekip mjekësor është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili do të angazhohet sidomos në rast se drejt Kosovës vijnë njerëz nga kontinenti i Azisë (Kina) ku është përhapur ky virus.
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thonë se në rast të paraqitjes së ndonjë rasti apo personi të infektuar me këtë lloj virusi, punëtorët shëndetësorë janë në nivel gatishmërie për trajtim.
Isme Humolli zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore e Shëndetësisë në Kosovë, i tha Radios Evropa e Lirë se tashmë në bashkëpunim me institucionet shëndetësore përgjegjëse, kanë ndërmarrë masa, ku njëra nga to është dërgimi i ekipit të mjekëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Megjithatë, Humolli shton se Kosova nuk ka fluturime direkte në Kinë, çka sipas saj, e ulë rrezikshmërinë e bartjes së koronavirusit.
“Kosova nuk është oazë e izoluar dhe normalisht që i kanoset rrezikut, si do shteti tjetër në botë, por ajo çka është me rëndësi është që në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë që është bërë, Kosova ende karakterizohet si shtet me rrezikshmëri jashtëzakonisht të ulët sa i përket koronavirusit”, tha Humolli.
“Ajo çka mund të them është se OBSH-ja është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në Kosovë dhe e ka ngritur në nivel më të lartë çështjen e mbikëqyrjes së influencës për shkak të ngjashmërisë së sëmundjes, ku edhe komunikimi me publikun dhe punëtorët shëndetësorë është në nivel të lartë. Sa i përket gatishmërisë së këtij virusi, Kosova është në gatishmëri të lartë. Institucionet e Kosovës mund të përballojnë rastet eventuale që do të paraqiten në Kosovë”, tha Humolli.
Në anën tjetër, në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti nga departamenti i informimit, thotë se ata po ndjekin rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që dalin nga qendra evropiane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve.
“Tash për tash OBSH-ja nuk rekomandon matje të temperaturave të njerëzve nëpër aeroporte, derisa rekomandon që të ketë kujdes me ata persona që vijnë nga Kina, në rast se ka të tillë. Ekipet mjekësore që janë tashmë të pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të bëjnë kontrollet mjekësore të duhura dhe t’i japin udhëzimet për trajtim të mëtejmë shëndetësorë”, tha Hoti.
SHIKONI EDHE: Virusi i ri: Vendet e rajonit marrin masa parandalueseNë Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, thonë se tashmë janë zhvilluar takime me zyrtarët nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ku është diskutuar me ekipin e mjekëve, lidhur me masat parandaluese të sigurisë, për këtë lloj të koronavirusit.
Sipas tyre, ekipi mjekësor duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm me policinë në kontrollin e pikës kufitare për udhëtarët të cilët e kanë vendin e origjinës së udhëtimit nga Kina. Ata thonë se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk rekomandon matjen e temperaturës së trupit për të gjithë udhëtarët, por në rast të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga Kina, atëherë duhet të bëhet kontrolli i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në aeroportin “Adem Jashari”.
“Kontrolli mjekësor i udhëtarëve, përfshinë simptomat, si ethe dhe simptomat të traktit respirator p.sh., koll, vështirësi në frymëmarrje”, thuhet në komunikatën e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Dy të vdekur nga gripi sezonal në Kosovë
Përderisa nuk ka ende asnjë dyshim për ndonjë rast të prekur me virusin e ri, në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm gripi sezonal, influenca A.
Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, infektologu Valbon Krasniqi, thotë se sa i përket situatës aktuale me gripin sezonal apo influencën A, nga muaji dhjetor e deri sot kanë qenë 16 raste që janë trajtuar në këtë klinikë, e që kanë qenë raste më të rënda.
Dy raste kanë përfunduar me vdekje, derisa edhe tre pacientë, sipas Krasniqit, janë në gjendje të rëndë, kurse dy prej tyre janë të intubuar.
“Gjatë dy ditëve të fundit kemi pranuar edhe 6 raste me simptoma të gripit, por që ende nuk janë konfirmuar”, ka thënë Krasniqi.
SHIKONI EDHE: Kujdes me gripin!Ndërkaq sa u përket shqetësimeve rreth virusit 2019-nCoV (lloj i koronavirusit), Krasniqi thotë se në rast të shfaqjes së këtij virusi, stafi është i përgatitur për t’i trajtuar të sëmurët.
“Jemi të gatshëm të pranojmë çfarëdo rasti dhe stafi është i përgatitur dhe në gjendje të trajtojë raste të paraqitjes me koronavirus. Sigurisht në rast të paraqitjes do të ketë mobilizim shtetëror”, tha Krasniqi.
Autoritetet kineze kanë thënë se aftësia e shpërndarjes së këtij virusi është duke u rritur, teksa është raportuar që 80 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2,700 persona janë infektuar.
Virusi që manifestohet përmes simptomave që përfshijnë temperaturë, koll dhe vështirësi në frymëmarrje, është përhapur edhe në pjesë tjera të Kinës, ndërkohë që janë raportuar raste edhe në shtete tjera.
Edhe shtetet e rajonit të Ballkanit kanë raportuar për ndërmarrjen e masave parandaluese.