Kisha Ortodokse Serbe nuk ka hequr dorë nga “diskursi i regjimit të Millosheviqit” e as nga “veprimet luftënxitëse të viteve të 90-ta”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim për ngjarjet e fundjavës në Mal të Zi.
Të dielën, në qytetin e Cetinës është shuguruar kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.
Ngjarja ka shkaktuar incidente dhe tensione të larta midis malazezëve dhe serbëve të këtij vendi.
Cetina është qendra kulturore dhe historike e Malit të Zi dhe simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror për malazezët, por, në të njëjtën kohë, qyteti është seli e Mitropolisë së Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.
Gjatë ceremonisë së shugurimit të Joanikijes janë dëgjuar edhe këngë nacionaliste për Kosovën.
Në një reagim dërguar Radios Evropa e Lirë, Kupina tha se “këndimi i këngëve me motive nacional-shoviniste, me thirrje të hapur kundrejt Kosovës, është një praktikë e hershme, por që ka marrë fund më 1999”.
“Është paradoksale që në shekullin XXI, Kisha Ortodokse Serbe ende propagon ide serbomëdha të politikës së vjetër të Beogradit”.
“Republika e Kosovës është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht që e ka ushtrinë e vet dhe institucionet e tjera të sigurisë”, tha mes tjerash Kupina.
Ndaj ngjarjeve në Mal të Zi ka reaguar edhe komuniteti ndërkombëtar, duke bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.
SHIKONI EDHE: BE e shqetësuar për ngjarjet në Mal të Zi