Në Kosovë arritën të enjten 10,000 vaksina kundër koronavirusit, të bëra donacion nga Kroacia.
Donacioni u pranua gjatë një takimi të ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, dhe drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijella Barishiq.
Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë nuk bëhet e ditur se të cilit prodhues janë vaksinat.
Marrëveshja për këtë donacion është nënshkruar më 24 maj nga Barishiq dhe zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në fund të marsit.
Deri të enjten janë dhënë gjithsej 90,217 vaksina.
Aktualisht, në zhvillim e sipër është faza e dytë e vaksinimit, që përfshin personat e moshës 65-79 vjeç.
Faza e tretë e vaksinimit masiv është paralajmëruar se do të nisë javën e ardhshme.
Kosova ka pranuar donacione vaksinash nga Bashkimi Evropian dhe nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Muajin e kaluar, autoritetet kanë njoftuar për nënshkrimin e një kontrate me kompaninë farmaceutike amerikane Pfizer, për sigurimin e mbi 1 milion vaksinave, por nuk dihet ende se kur do të arrijnë ato në Kosovë.
SHIKONI EDHE: Ministria nuk tregon kur nisin të vijnë 1.2 milion vaksinat