Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se u ka nisur notë verbale disa vendeve lidhur me zhvillimet e fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Megjithatë, ministria nuk ka dhënë më shumë hollësi për përmbajtjen e letrës, duke thënë se nuk mund ta komentojë.
Nota verbale nënkupton komunikim diplomatik mes dy qeverive përmes përfaqësuesve diplomatikë të njëra-tjetrës.
Rundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar më 14 shtator.
Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka thënë më pas mediave se ndërmjetësuesi i dialogut Mirosllav Lajçak ka marrë pozicion të njëanshëm, në përputhje me atë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
SHIKONI EDHE: Kurti thotë se Lajçaku u pozicionua kundër KosovësAi, po ashtu, ka paralajmëruar se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”.
Bashkimi Evropian i ka quajtur deklarata e Kurtit si “akuza të pabaza”.
SHIKONI EDHE: A po ia mbyll Kurti dyert emisarit evropian?Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.
“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hovenier më 20 shtator.
Ai e ka shfaqur shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.
Nëse nuk e bën këtë, Hovenier ka thënë se do të ketë pasoja.
“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”.
Ambasadori amerikan ka thënë, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.
Intervistë e plotë:
SHIKONI EDHE: Ambasadori Hovenier për REL-in: Asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parëKosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.