Qeveria e Kosovës ka ripërsëritur qëndrimin e saj në lidhje me ndalesën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se kjo çështje është rregulluar me ligjet e vendit.
“Konsiderojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, por edhe legjislacioni në fuqi”, tha ajo në një konferencë për media më 23 shkurt
Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill.
Autoritetet e Serbisë kanë thënë se në dialogun Kosovë-Serbi do të kërkojnë që të lejohet edhe votimi në territorin e Kosovës në zgjedhjet e Serbisë.
Megjithatë, në takimin e delegacionit të Kosovës me të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak më 22 shkurt nuk është folur për këtë temë.
SHIKONI EDHE: Lajçak për dialogun: Jemi afër marrëveshjes për disa dokumenteMinistrja Haxhiu ka rikujtuar se Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës janë në linjë të njëjtë sa i përket kësaj çështjeje.
Sipas Qeverisë së Kosovës, qytetarët e Kosovës që kanë edhe shtetësi të Serbisë do të mund të votojnë në zgjedhjet e Serbisë “në zyrën ndërlidhëse në Kosovë apo me postë”.
Në të kaluarën Serbia ka mbajtur zgjedhjet parlamentare në territorin e Kosovës. Zgjedhjet e fundit u mbajtën më 21 qershor, 2020.
Në atë kohë, fletëvotimet i ka mbledhur misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)në Kosovë.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, votat nga Kosova janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë - dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë e mbledhjes së votave është krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani ajo ka pasur lejen e autoriteteve të Kosovës.
Në një deklaratë të dhënë për Radion Evropa e Lirë të mërkurën (23 shkurt), OSBE ka thënë se praktika e mbledhjes së votave nga ky mision “ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve relevante për një operacion të tillë”.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave nëse plotësohet ky kusht”, thuhet në përgjigjen e tyre
Me metodën e “mbledhjes së votave” në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet presidenciale të Serbisë në vitin 2017. Serbia ka organizuar zgjedhjet e saj presidenciale në Kosovë edhe në vitin 2012.
Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë nuk janë organizuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, pasi procesi i decentralizimit ka filluar në të njëjtin vit, bazuar në planin e Martti Ahtisaarit. Ky plan është dokumenti mbi bazën e të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë.
SHIKONI EDHE: Serbia fut në agjendën e dialogut zgjedhjet e prillit