Qeveria e Kosovës e ndihmon Bosnjën me 200 mijë euro pas përmbytjeve

Makina të zhytura në baltë e shtëpi të shkatërruara në Donja Jabllanicë të Bosnjës. Ky fshat është ndër më të goditurit nga fatkeqësia natyrore.

Qeveria e Kosovës njoftoi se do ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën me 200.000 euro, pas përmbytjeve vdekjeprurëse që goditën vendin e rajonit në fillim të këtij muaji.

Ajo tha se e mori këtë vendim gjatë një mbledhjeje elektronike të premten vonë.

Ditë më parë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i kishte kërkuar kabinetit të kryeministrit Albin Kurti ta ndante këtë shumë parash për ta mbështetur vendin e Ballkanit.

Së paku 22 njerëz humbën jetën në Bosnje e Hercegovinë si pasojë e përmbytjeve dhe rrëshqitjes së dheut pas reshjeve të mëdha të shiut që nisën më 4 tetor.

Your browser doesn’t support HTML5

Përmbytjet në jug të Bosnjës: Katastrofë që s'mbahet mend

Në fillim të kësaj jave, Qendra Kulturore Boshnjake në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, filloi një aksion për mbledhjen e ndihmave për banorët e prekur nga përmbytjet vdekjeprurëse në Bosnje e Hercegovinë.

Iniciatorja e kësaj nisme me moton “Bosnje, boshnjakët e Prizrenit janë me ty” është një nga përfaqësueset politike të komunitetit boshnjak në Kosovë, Emilija Rexhepi, e cila është gjithashtu zëvendëskryeministre e Kosovës.

Për shkak të situatës së rënduar, Bosnjës i kanë dalë në ndihmë shtete të Bashkimit Evropian, por edhe shtete fqinje.

SHIKONI EDHE: Në Prizren fillon mbledhja e ndihmave për të prekurit nga përmbytjet në Bosnje