Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një Muzeu të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllim “dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.
Në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, u tha se objektivi kryesor është “krijimi i një institucioni publik, përkujtues dhe prezantues të historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se muzeu "është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi, sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”.
SHIKONI EDHE: Hija e propagandës serbe në Kosovë: Dëshmi shumë, punë pakMinistri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se muzeu i ri “synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave” dhe “prezantimin e përjetimeve të të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen”.
Muzeu, shtoi ai, “synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”.
Çeku ka thënë se ky muze do të themelohet fillimisht si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë, ai pritet të shndërrohet në institucion të pavarur muzeor të nivelit kombëtar.
Institucioni i muzeut synohet të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Propozimi për themelimin e muzeut u mbështet nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, me përjashtim të atij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi në votim.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-'99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Lexoni edhe këto: