Edhe një tjetër mega-qeveri?

Pamje nga një protestë kundër rritjes së pagave për zyrtarët qeveritarë me arsyetimin e shpenzimeve të larta

Qeveria në detyrë nuk arriti të finalizojë dhe të dërgojë për miratim në Kuvend projektligjin për qeverinë, i cili parasheh shkurtimin e posteve qeveritare. Mungesa e këtij ligji bën që qeveria e ardhshme e cila do të dalë nga zgjedhjet e parakohshme, të mund ketë shumë ministra e zëvendësministra, thotë Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Ky projektligj ishte iniciuar qysh në vitin 2018 nga qeveria e udhëhequr në atë kohë nga Ramush Haradinaj, e cila kishte numrin më të madh të ministrive që nga paslufta, me 21 ministri, pesë zëvendëskryeministra dhe më shumë se 80 zëvendësministra.

SHIKONI EDHE: Ligji që përgjysmon Qeverinë

Ndërkaq, në gusht të këtij viti, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti kishte finalizuar projektligjin për qeverinë, por si i tillë u dërgua në Komisionin e Venecias për të marrë interpretim nga ky komisioni sa i përket kushtetutshmërisë.

“Kemi komunikuar drejtpërdrejt me Komisionin e Venecias dhe kemi arritur të sigurohemi që në seancën e tetorit do të kemi një përgjigje nga ky komision”, kishte thënë Tahiri në një mbledhje të Qeverisë të mbajtur në muajin gusht.

Your browser doesn’t support HTML5

Sa kushtojnë zëvendësministrat?

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës edhe nga zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Tahiri, rreth këtyre rekomandimeve që mund t’i ketë dhënë Komisioni i Venecias, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Projektligji për Qeverinë, i cili është i publikuar në ueb-faqen e saj, përveç tjerash ka paraparë që të mos kishte më shumë se tre zëvendëskryeministra dhe jo më shumë se pesëmbëdhjetë ministri me përjashtim, që me propozim të mandatarit për formimin e Qeverisë, mund të propozohen edhe dy ministri shtesë.

Me këtë projektligj, po ashtu, kryeministri do të mund të emërojë deri në katërdhjetë zëvendësministra.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e konsideroi zgjedhjen e qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, jokushtetuese, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti kishte 15 ministri, dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria nuk kishte më shumë se 33 zëvendësministra.

SHIKONI EDHE: Ligji për Qeverinë pritet të përcaktojë edhe kuotën gjinore

Qeveria në detyrë e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti numëron 16 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe më shumë se 45 zëvendësministra. Që të gjithë këta zyrtarë të qeverive kanë të punësuar edhe numër të madh të këshilltarëve të tyre politikë, shoferë, si dhe të punësuar të tjerë.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) thonë ta kenë mbështetur këtë projektligj dhe kanë shtyrë përpara nevojën që Kosova ta ketë një ligj të tillë.

Arbëresha Loxha, drejtoreshë, thotë se këtë e kanë bërë që të mos bëhen, siç thotë ajo, abuzime sa i përket numrit të madh të ministrave e zëvendësministrave qysh janë bërë nga qeveritë e kaluara.

“Pavarësisht faktit që në qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, ishte ulur numri i ministrave dhe zëvendësministrave, e njëjta u kthye mbrapa në Qeverinë Hoti, e cila ishte qeveria e dytë për nga numri më i madh i zëvendësministrave dhe mistrive”, thotë Loxha.

Nisur nga kjo, Loxha thotë se në Kosovë është i domosdoshëm Ligji për Qeverinë, por që, sipas saj, një gjë e tillë po neglizhohet.

“Ka pasur tendencë përsëri të abuzohet me madhësinë e qeverisë dhe nuk ka qenë prioritet i qeverive që të adresohen këto probleme që kanë të bëjnë me madhësinë dhe aspektet tjera që lidhen me llogaridhënien dhe privilegjet e kabinetit qeveritar për këtë arsye edhe është lënë pa miratim ky ligj”, thotë ajo.

Numri i madh, në veçanti i zëvendësministrave, zakonisht është kritikuar nga shoqëria civile.

Në opinion, shpesh është ngritur edhe dilema se çfarë mund të punojnë të gjithë këta zëvendësministra, marrë parasysh që edhe vendet me popullatë shumë më të madhe sesa Kosova nuk kanë numër kaq të madh të të punësuarve në postet nën-ministrore.

SHIKONI EDHE: Sa shpenzuan kryeministri dhe ministrat në largim?

Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave është parë si një shpenzim i madh edhe për buxhetin e shtetit.

Paga e kryeministrit të Kosovës, është rreth 1,500 euro. Ministrat në Kosovë marrin pagë rreth 1,300 euro, kurse një zëvendësministër paguhet rreth 1,200 euro.

Këto paga nuk përfshijnë edhe shpenzimet tjera siç janë; këshilltarët, veturat, shoferët, asistentët administrativë, telefoni si dhe shumë shpenzime tjera.