Kosova me masa të reja kundër Covid-19

Fotografi ilustruese.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të ketë kufizime të reja në luftën kudër Covid-19, sëmundjes që shkaktohet nga koronvirusi i ri.

Me vendim e miratuar, manuali i Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19, është bërë obligativ.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se ky vendim vjen pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 dhe pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

“Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, IKSHPK na ka rekomanduar si Ministri të Shëndetësisë, dhe pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë, kërkoj që të përkrahni vendimin e Ministrisë që konsiston që institucionet publike dhe private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike, apo nga shtëpitë e tyre (në mënyrë) online, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi, që nënkupton reduktimin e stafit. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të shtojnë kontrollet të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni”, ka thënë Zemaj.

SHIKONI EDHE: Klinikës Infektive po i rrezikohen kapacitetet për të sëmurët me Covid-19

Gjithashtu, ministri Zemaj ka shtuar se të gjitha institucionet obligohen që t’i përmbahen manualit të Ministrisë dhe Inspektoratet përkatëse të mbikëqyrin respektimin e këtij vendimi.

Your browser doesn’t support HTML5

Qytetarët nuk dëgjojnë thirrjen #VendoseMaskën

Ai ka shtuar se qëllimi i këtij vendimi është përmirësimi i situatës në terren, për të vazhduar me planin e ri për masat lehtësuese.

Në ditët e fundit, në Kosovë është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus. Më 16 qershor, IKSHPK-ja njoftoi për 141 raste të reja me këtë virus.

SHIKONI EDHE: IKSHPK shpreh shqetësim për rritjen e numrit të rasteve me Covid-19

Sipas të dhënave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,756 raste me koronavirus.

Prej tyre, 968 janë shëruar, derisa 34 pacientë tjerë kanë vdekur.