Kosova dhe Maqedonia e V. thellojnë bashkëpunimin me tri marrëveshje të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, n një konferencë për media në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi i tij nuk ka asnjë mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut dhe kanë komunikim të vazhdueshëm për tema me interes të përbashkët.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski.

Në takimin e 18 nëntorit në Prishtinë, qeveritë e dy vendeve i kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi.

Palët kanë nënshkruar marrëveshje në fushën e energjisë, atë të arsimit, dhe për lehtësimin e lëvizjes së lirë. Kurti ka thënë se zbatimi do të nisë nga janari i vitit 2025.

“Pas shumë kohe pritjeje, më në fund do të kemi kontroll të përbashkët në pikat Han i Elezit – Bllacë dhe Jazhincë – Glloboçicë. Ky model kontrolli bëhet vetëm hyrje-hyrje dhe zyrtarët policorë punojnë në të njëjtën ndërtesë duke lehtësuar kalimin kufitar, dhe rrjedhimisht duke shkurtuar kohën e pritjes”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se protokolli për energjinë përbën “hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë së furnizimit me energji për dy vendet tona”.

“Të dyja ministritë do të angazhohen për t’i adresuar sfidat e energjisë duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për arritjen e objektivave të përbashkëta. Po zotohemi të nxisim projekte për energjinë e ripërtishme dhe efiçencë energjetike, si dhe për të thelluar bashkëpunimin e ekspertëve në mes të korporatave tona të energjisë”.

Për memorandumin për arsimin, Kurti ka thënë se fokusi do të jetë në aftësim profesional dhe aftësim të të rriturve.

Mickoski e ka lavdëruar gjithashtu takimin dhe ka thënë se marrëveshjet e arritura do të kenë ndikim pozitiv për njerëzit dhe përparimin ekonomik.

“Të bisedojmë për të ardhmen, në vend që të flasim për të kaluarën. Qytetarët kanë probleme të përbashkëta, prandaj do të kemi zgjidhje të përbashkëta”, ka thënë Mickoski.

Përgjatë mbledhjes mes dy qeverive, Kurti ka përmendur se dy vendet i kanë nënshkruar 50 marrëveshje deri më tani, por “ajo që duhet të bërë tash është zbatimi i tyre".

“Marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona pasqyrohen edhe në rritjen e vazhdueshme të tregtisë, e cila arriti në 432 milionë euro në vitin 2023, një rritje e jashtëzakonshme prej 52 për qind, krahasuar me vitin 2019, ku qëndronte 284 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, ka pasur rritje të eksportit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut, nga 48 milionë në vitin 2019, në 121 milionë në vitin 2023.

“Në Maqedoninë e Veriut e shohim një vend mik, me të cilin jemi të lidhur, jo vetëm përmes gjeografisë, por edhe nga vlerat e përbashkëta dhe nga njerëzit tanë. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet t’i shohim si vlera e shtuar, si ura të bashkëpunimit më të ngushtë dhe më të fuqishëm mes vendeve tona”, ka thënë ai.

Pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është edhe koalicioni shqiptar VLEN, i cili përbëhet nga partitë Alternativa, Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët.

Shqiptarët përbëjnë rreth 29.5 për qind të popullsisë prej 1.8 milion të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri maqedonas tha se kanë treg të përbashkët prej 17-18 milionë euro, dhe shtoi se u pajtua me Kurtin gjatë një takimi dypalësh që ky bashkëpunim tregtar të rritet në rreth 500 milionë euro.

“Nëse punojmë së bashku do të jemi më të fuqishëm, meqë uniteti i bën fqinjët edhe më të fuqishëm. Synojmë që bashkëpunimi tregtar të jetë edhe më i madh në vitet në vijim dhe do të na sjellë përfitime. Jam i bindur që do t’ia dalim”, tha Mickoski.

SHIKONI EDHE: Dita e parë e punës e Qeverisë së re maqedonase

Takimi i përbashkët i dy qeverive vjen pas një vizite që Kurti me ministrat e tij e bëri në Shkup këtë verë, pak muaj pasi ishte formuar Qeveria e Mickoskit.

Ky është takimi i dytë ndërqeveritar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pas atij në vitin 2021.

Ligji për Gjuhët

Përgjatë konferencës, Kurti është pyetur edhe pse është vendosur të mbahet tani takimi mes dy qeverive, kur po diskutohet Ligji i Gjuhëve në Shkup.

Kurti ka thënë se çështja e gjuhës i takon Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias.

“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, ka thënë Kurti, duke shtuar se pret vendim të drejtë, që nuk bën përjashtime dhe respekton shumëgjuhësinë.

Ditë më parë, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në opozitë (BDI) ka thënë se pret që në mbledhjen e së hënës të diskutohej edhe për Ligjin për Gjuhët, pasi Gjykata Kushtetuese maqedonase pritet ta rishikojë dhe “me gjasë ta shfuqizojë” nenin 9 të këtij ligji.

SHIKONI EDHE: Shkup: Diskutohet për Ligjin për gjuhët, në prag të vendimit të Kushtetueses

Kur një gazetare ka pyetur Mickoskin për ndikimin e tij të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese kur është fjala për këtë ligj, Mickoski ka thënë se gjyqtarët janë përzgjedhur shumica nga BDI-ja dhe nuk e di pse ekziston përshtypja që ai ka ndikim në të gjithë partitë.

Sipas tij, kjo çështje është aktualizuar tani, sepse po luftohet krimi dhe korrupsioni dhe kanë mbetur në hije politikanët që kanë krijuar karrierë politike mbi këto baza.

Ligji për Gjuhët, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, e ka bërë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ky ligj ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka nisur të trajtohet pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut, parti që kishte kundështuar këtë ligj në të kaluarën.

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve të vendit.

Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20 për qind.