Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, që sipas tyre, “u rrëmbyen nga forcat serbe” brenda territorit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë”.
“Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Osmani.
“Zyrtarët policorë duhet të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht”, shtoi ajo.
SHIKONI EDHE: Kosova thotë se Serbia ia "kidnapoi" tre policë, Serbia thotë se i arrestoi në territorin e sajPolicia e Kosovës bëri të ditur se mesditën e 14 qershorit, gjatë patrullimit, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Serbia tha se njësitë anti-terror të xhandarmërisë arrestuan policët kosovarë “në thellësi të territorit të Serbisë”, afër komunës së Rashkës.
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se me këtë veprim po dëshmohet se Serbia “dëshiron të nxisë tensione mes dy vendeve”.
“Në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rrëmbimi i zyrtarëve policorë “qartazi është si hakmarrje e Serbisë” për arrestimin një ditë më parë të Millun Millenkoviq, i cili nga autoritetet e Kosovës akuzohet për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj.
SHIKONI EDHE: Petkoviq: Xhandarmëria serbe ka arrestuar tre policë të Kosovës në komunën e RashkësRasti i policëve po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.