Tradita e festimit të 9 majit, Ditës së Evropës ka vazhduar edhe sivjet në Kosovë. Institucionet publike, shkollat dhe administrata e shtetit, në këtë ditë, nuk punojnë.
Atmosfera i ngjanë një feste tashmë tradicionale, pavarësisht faktit që Kosova mbetet ende vendi i vetëm në këtë rajon me një perspektivë më të ndërlikuar integruese në Bashkimin Evropian dhe vendi pa liberalizimin e vizave.
Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natliya Apostolova, tha se Kosova ka përmbushur pjesën kryesore të punës, por çdo gjë varet nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, kur është në pyetje liberalizimi i vizave, si një prej temave më të përfolura.
"Unë inkurajoj Kosovën që të vazhdojë punën drejtë procesit të luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, forcimit të institucioneve, vendosjes së rendit dhe ligjit, e gjithë kjo do të ndihmojë që shtetet anëtare të BE-së të marrin një vendim pozitiv", tha Apostolova.
Por, ndryshe nga Apostolova, ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha deklaroi se 9 maji i vitit të ardhshëm do të festohet me liberalizim vizash.
“Dua të çoj mesazhin që të gjithë qytetarët tani të punojmë që ta bëjmë Kosovën tonë më të fortë ekonomikisht që të gjithë të rinjtë tanë të kenë perspektivë. Sepse ky është qëllimi i Evropës. Ne shpresojmë që çdo vit të jemi më afër Evropës”.
"Ne jemi të përkushtuar që qytetarët të jenë dhe të lëvizin të lirë. Kosova e ka vullnetin politik dhe ne shpresojmë që deri në fund të vitit qytetarët të lëvizin të lirë dhe besoj që 9 maji i vitit të ardhshëm do t’i gjejë qytetarët tek lëvizin të lirë dhe pa viza”, tha Hoxha.
Por, kremtimi i 9 Majit, duke mbyllur institucionet dhe shkollat, për disa nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, nuk është zgjidhje e duhur.
Diellëza Rama, nga Akademia e Grave për Lidership thotë se 9 Maji do të duhej të ishte një ditë pune.
"Ne e konsiderojmë të paarsyeshme që sot të pushohet, institucionet sot është dashur të punojnë, sepse jemi vendi më i izoluar në botë, ku qytetarët nuk gëzojnë lëvizje të lirë si pasojë e ngecjes në liberalizim të vizave" tha Diellëza Rama.
Probleme të shumta hasin edhe studentët të cilët duan të studiojnë jashtë vendit, thotë Merita Abazi, përfaqësuese e studentëve. Ata, sipas saj, shpesh ballafaqohen me refuzim nga ambasadat duke iu pamundësuar pjesëmarrjen në seminare e konferenca të ndryshme.
"Ambasadat marrin një kohë të gjatë për një vizë, e në shumë raste ka edhe refuzim të vizës. Ky izolim iu bëhet studentëve bashkë me qytetarët tjerë dhe nuk është një gjë e mirë që po i ndodhë vendit tonë", tha Merita Abazi.
Lexoni edhe këtë: Testi final i BE-së për liberalizim vizash