Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vet energjetikë, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.
Deri te kjo ka ardhur pasi të hënën është votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO), ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari.
Në një postim në Facebook, ajo e ka konsideruar fitore pavarësimin energjetik, për të cilin ka thënë se është punuar për disa vite me radhë.
Në një komunikatë për media të KOSTT-it, ndërkaq, thuhet se me “zbatimin e kësaj marrëveshjeje, KOSTT do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë-Shqipëri, në kuadër të zonës sinkrone të Evropës Kontinentale”.
Po ashtu bëhet e ditur se të hyrat financiare do të mblidhen nga KOSTT.
SHIKONI EDHE: Kosova pret miliona euro përfitime pas shkëputjes nga blloku energjetik i SerbisëPresidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se përkundër rezistencës së Serbisë, Kosova arriti të përmbyllë procesin e pavarësimit energjetik.
"Kjo është një e arritur e madhe e Kosovës dhe shembull sesi duhet vazhduar përpara drejt realizimit të synimeve tona strategjike", tha Thaçi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me këtë marrëveshje, KOSTT merr obligimet dhe të drejtat e barabarta me operatorët e tjerë të Evropës.
“Si operator i njohur ndërkombëtarisht, KOSTT do të ketë qasje në mekanizmat ndërkufitarë, të cilët krijojnë mundësi më të lehtë në tregun rajonal për operatorët tanë. Kjo do të reflektohet në të hyra shtesë për KOSTT-in”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar nënshkrimin e marrëveshjes si “ditë të madhe në fushën energjetike dhe pavarësimin e plotë nga Serbia”.
“Për dy vjet, si kryeministër i vendit, kemi punuar ngushtë dhe kemi realizuar dhjetëra takime pune, larg publicitetit, me institucionet energjetike dhe partnerët strategjikë, në veçanti SHBA-në dhe Gjermaninë, që të arrihet kjo ditë”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Ky zhvillim i hap rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë - Shqipëri.
Linja e interkoneksionit prej 400 kilovatësh në mes të Shqipërisë dhe Kosovës është inaguruar në qershor të vitit 2016 dhe ka shtrirje prej 241.1 kilometrash.
Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë më herët se arsye kryesore e mosaktivizimit të kësaj linje ka qenë Serbia, e cila, sipas tij, nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Energjinë, të nënshkruar në Bruksel në vitin 2013, ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje, Kosova vlerësohet se ka humbur deri në 12 milionë euro në vit, pasi inkasimi i tarifave të transmisionit të energjisë që kalon transit përmes Kosovës, është bërë nga shteti i Serbisë në emër të Kosovës.