Hoti paralajmëron masa të reja, Kosova në rrezik nga vala e dytë e koronavirusit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se situata me koronavirus në Kosovë “është nën kontroll të brishtë”.

Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti tha se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.

“Janë duke u krijuar vende shtesë nëpër spitale rajonale”, tha ai.

Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.

“Jemi në rrezik nga vala e dytë, na ndihmoni që mos ta mbyllim komplet ekonominë si para tre muajve”, tha Hoti, i cili paralajmëroi masa të reja për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

SHIKONI EDHE: Përhapje shqetësuese e koronavirusit në Kosovë

Masat e reja, që sipas tij do të merren qysh në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, do të përfshijnë reduktimin e punës në institucione - bartësit e institucioneve duhet t'i lirojnë ata që mund të kryejnë punën nga shtëpia - pastaj mbylljen e bizneseve ku ka raste të paraqitura me koronavirus, mbajtjen në izolim të personave të infektuar dhe kontrollin e tyre, si dhe ndalimin e grumbullimit të mbi 100 personave në ambiente të hapura ose të mbyllura.

Hoti tha se ata që nuk i zbatojnë masat, do të përballen me ligjin.

Për mbikëqyrjen e tyre është i autorizuar Inspektorati sanitar, tha ai.

Hoti po ashtu paralajmëroi se, bazuar në situatën aktuale, vështirë se mund të hapen pishinat, lokalet e natës e të tjera.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe drejtori i Institutuit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, të cilët po ashtu morën pjesë në konferencë për media, i bënë jehonë thirrjes së Hotit, duke thënë se moszbatimi i masave do të sjellë pasoja.

“Ne jemi në fazën e tretë të hapjes graduale ekonomike dhe shumica e veprimtarive janë lejuar. Kjo ka rezultuar me rritje të numrit të rasteve pozitive me Covid-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]. Nuk mund të thuhet që ishte e papritur, por kjo ka rezultuar me rritje të numrit të pacientëve që kërkojnë trajtim spitalor në Klinikën Infektive”, tha Zemaj, duke shtuar se e gjithë kjo situatë është pasojë e mosrespektimit të masave.

Zemaj tha se Ministria që ai drejton, mes tjerash, është duke përgatitur strategjinë e re të testimeve, me qëllim të, siç tha, “testimeve në masë”.

Zemaj, megjithatë, nuk ofroi detaje në lidhje me këtë strategji.

SHIKONI EDHE: Ramadani: Personat asimptomatikë të mos testohen, të vetizolohen

Drejtori i IKSHPK-së, Ramadani, tha se testimet janë të garantuara për çdo qytetar që ka indikacione epidemiologjike.

“Në një vend, në një vatër, ku rezulton një person pozitiv, Instituti Kombëtar i gjurmon të gjitha rastet e kontaktit dhe të gjithë ata me shenja testohen në radhë të parë, në mënyrë energjente”, tha Ramadani.

Kosova, deri të dielën, ka konfirmuar gjithsej 2,677 raste me koronavirus.

Prej tyre, 1,203 janë aktive, ndërsa 49 pacientë kanë vdekur.

SHIKONI EDHE: QKUK-ja ka rreth 500 shtretër për pacientët me Covid-19  

Numri i të shtrirëve në Klinikën Infektive në Prishtinë ka filluar të rritet që nga fillimi i muajit qershor, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave kundër koronavirusit.

Në 10 ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 844 raste të reja me koronavirus.

Ditëve të fundit ka ndodhur që deri në 46% e të testuarve në 24 orë të dilnin pozitivë me Covid-19.

Kosova bën pjesë edhe në listën e 11 vendeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që përballen me transmetim të shpejtë të sëmundjes Covid-19.