Kosova importon lëndë të parë nga Serbia, por jo edhe mallrat tjera 

Katër javët e para që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, kanë dëshmuar rënie të lartë të importit të këtyre mallrave në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, nga data 21 nëntor, kur ka filluar të zbatohet vendimi i Qeverisë se Kosovës, nga këto shtete janë zhdoganuar 174 kamionë (145 nga Serbia dhe 29 nga Bosnja kamionë) , kryesisht lëndë e parë për prodhuesit kosovarë, të cilët kanë paguar taksën mbrojtëse mbi 290 mijë euro(250 mijë nga Serbia dhe 41 mijë euro nga Bosnja Hercegovina).

Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë kishin hyrë nga 2800 deri në 3000 maune me produkte të ndryshme, me një vlerë prej 35 milionë eurosh. Këtu janë përfshirë edhe maunet me produkte nga këto dy shtete, por edhe ato ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe Bosnje, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

*Video: *Video: Ndalet qarkullimi i mallrave nga Serbia. Merdare, 23 nëntor, 2018.

Your browser doesn’t support HTML5

Ndalet qarkullimi i mallrave nga Serbia

Përfaqësues të komunitetit të prodhueseve në Kosovë janë shprehur se tarifa doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës i ka dhënë efektet e veta në ekonominë e përgjithshme të Kosovës. Një nga efektet, sipas tyre, është rritja e prodhimit vendor.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas vendosjes së taksës, kompanitë prodhuese vendore kanë pohuar se kanë rritje të kërkesës për produktet e tyre dhe njëherësh tashmë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.

SHIKONI EDHE: Rritet konsumimi i produkteve vendore dhe numri i të punësuarve 

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të zmbrapset nga vendimi për tarifën, për shkak se këto shtete nuk kanë pasur qasje të duhur ndaj prodhueseve të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar reciprocitet për shkak të qasjes së Serbisë ndaj prodhuesve të Kosovës. Për ne është më rëndësi që të ketë korrigjim të ekonomisë brenda territorit të Kosovës. Ne e kemi thënë edhe në të kaluarën një prej problemeve ka qenë Serbia. Por, kemi problem edhe të importueseve të mëdhenj në Kosovë, të cilët vazhdojnë të favorizojnë produktet e importit dhe jo produktet vendore. Por, unë besoj se pa ndryshuar qasja e Serbisë ndaj sektorit të ekonomisë së Kosovës, sidomos prodhimit, atëherë nuk i rekomandoj Qeverisë se Kosovës që të largojë këtë taksë”, tha Panxha.

SHIKONI EDHE: Kosova hulumton zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia

Ndryshe Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht faktit se ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.

Por, edhe mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të hiqet taksa, duke e konsideruar atë si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar pavarësisht se kush është kryeministër apo ministër i Tregtisë.

Kurse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë vetëm kur të tërhiqet tarifa.

Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit në Brukseludhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor më zyrtarë të BE-së, që është mbajtur me ftesë të Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.